Çollaku: Nëse Kuvendi s’e ratifikon demarkacionin, atëherë mund të ketë zhagitje për heqjen e vizave

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi mbetet njëra prej sfidave kryesore për heqjen e vizave për kosovarët, derisa subjektet opozitare vazhdojnë ta konsiderojnë Marrëveshjen e 26 gushtit si të dëmshme për Kosovën. Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, në një intervistë për Indeksonline, ka thënë se procesi i liberalizmit të vizave dhe shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi mbeten dy çështje të interesit nacional për vendin. Sipas tij, spektri politik duhet të ketë unitet dhe mos të bëjë ndonjë bllokadë në Kuvendin e Kosovës. “E kam sqaruar tashmë disa herë, në qoftë se ende ka dilema për shënimin e pikës kufitare atëherë deputetët e gjitha partive duhet të ulen në Parlamentin e Republikës, ta shikojnë me vëmendje atë marrëveshje secili nga ta dhe pastaj të binden në qoftë se me të vërtetë ka devijime, gabime apo jo. Në qoftë se ka, le ti ndreqin sepse ende ka mundësi të tillë e në qoftë se jo të ratifikohet dhe mos të shërbej si alibi apo pretekst për Parlamentin e Bashkimit Evropian që mbase ta zhagitë apo ta vonojë miratimin e vet për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai. Çollaku shprehet optimist se përfaqësuesit politik do të koordinohen dhe pajtohen rreth kësaj çështje, e cila jep “dritën jeshile” për heqjen e vizave për kosovarët. “Mirëpo në një rrethanë mendoj se kjo nuk do të jetë një pengesë sepse ne tashmë kemi dëshmuar mjaftë që kemi vullnet të mjaftueshëm politik që çështje të tilla, siç është çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi ti zgjidhim në mënyrë shumë të hapur dhe në raport fqinjësor me Malin e Zi. Çfarë është e rëndësishme në gjithë këtë proces është se nuk ka pretendime territoriale as nga Kosova e as nga Mali i Zi, kështu që me të vërtetë ka vullnet të mjaftueshëm politik që kjo çështje të sqarohet në mënyrën më të mirë të mundshëm”, ka potencuar ai.
Vendimi i qëlluar i KE-së për mosnjohjen e dokumenteve serbe Më tej, ministri Çollaku ka komentuar edhe vendimin e KE-së rreth mosnjohjes së dokumenteve të serbëve të Kosovës, të cilët janë të pajisur me pasaporta shtetërore serbe. I pari i MIE-së u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, që të pajisen me pasaportat biometrike të Kosovës, pasi që me këtë veprim ata mund ta shfrytëzojnë të drejtën për udhëtim në vendet e Schengenit, e cila do të jetë e mundur pas liberalizimit të vizave. “Me vite të tëra ne kemi apeluar tek qytetarët e gjitha komuniteteve që janë shtetas të Republikës së Kosovës të pajisen me dokumente zyrtare të Republikës. Është mirë që Bashkimi Evropian nuk i ka lejuar komunitetin serbë të Kosovës të pajisen me pasaporta të Serbisë që të lëvizë pa viza në zonën “Schengen. Mirëpo tani edhe serbët e Kosovës do ta kenë një mundësi të tillë, të cilët janë të barabartë në Kosovë si gjitha komunitetet tjera. Tani e kanë mundësi shumë të thjeshtë dhe të lehtë në mes të procedurave të pajisen me një pasaportë të Republikës së Kosovës dhe të kenë mundësin që të udhëtojnë pa viza si gjithë qytetarët tjerë”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është edhe një mundësi e mirë që ta rritet edhe më tepër integrimi i komunitetit serbë në shoqërinë kosovare dhe në kuadër të institucioneve të Republikës. Çollaku thotë se pas sukseseve të Ministrisë të cilën e drejton, tani sfidë dhe rrugë e mëtejme e vendit është anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian. “Ajo çfarë është e sigurt të themi në këtë fazë është fakti që më në fund nuk jemi si thuash në mënyrë gjeografike në Evropë, tani jemi edhe zyrtarisht në procesin e integrimit drejt BE-së sepse kemi nënshkruar marrëveshjen e stabilizim asociimit, kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave u bëmë anëtar edhe të UEFA-së, kështu që gjërat si duket po shkojnë në drejtimin e duhur mirëpo mbetet akoma shumë punë për të bërë që t’ia arrijmë qëllimit përfundimtar që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, është shprehur ai. “Lego”-ja, interesante për Kosovën I pari i MIE-së ka folur edhe për instilacionin me mesazh “kundër BE-së”, i vendosur në qendër të Prishtinës. Sipas tij, ‘lego’-ja gjashtë pikëshe ka një kritikë jo vetëm ndaj BE-së por edhe një pjese të qeverisjeve paraprake. “Konsideroj një instilacion shumë kreativ dhe domethënës i cili më siguri se së pari do ti gëzoj fëmijët të cilët janë mësuar të luajnë me ‘lego’, por nga ana tjetër e ka edhe simbolikën e vet politike, një kritikë jo vetëm ndaj Bashkimit Evropian mirëpo ndoshta edhe ndaj vet qeverisjes në Kosovë dhe ndaj punës tonë të përbashkët që kemi bërë deri më tani”, ka thënë në fund ai. /Indeksonline/
Bekim Collaku

Temat
LajmeVend

Të afërta