Akuza e kundërakuza mes opozitës

Prej kur AAK-ja e Nisma vendosën të vazhdojnë vetëm si një koalicion parazgjedhor, u shënua edhe ndarja më e madhe mes tyre e Vetëvendosjes. Bashkë me ndarjen nisën edhe akuzat e kundër-akuzat, të cilat po vazhdojnë ende.

Një fotografi e disa ditëve më parë, ku Ramush Haradinaj e Jakup Krasniqi shiheshin duke cakërruar gotat me presidentin Hashim Thaçi, prodhoi reagime të shumta, raporton KTV.

Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes, në një shkrim autorial, ka thënë se Nisma po bitiset e me ndërmjetësimin e AAK-së, kjo parti po rikthehet në PDK.

Nga ana tjetër, Jakup Krasniqi disa njerëz të Vetëvendosjes i krahasoi me shërbimet sekrete, duke filluar nga koha e Beogradit.

Por, dy partitë opozitare, AAK-ja e Nisma, megjithatë po vazhdojnë të jenë bashkë në takime mobilizuese me qytetarë, duke u bërë gati për protestën e 14 majit. Nisma po e akuzon Vetëvendosjen se po mundohet të pengojë mbajtjen e kësaj proteste.

Por, deputeti i Nismas Enver Hoti megjithatë ka thënë se ka njerëz brenda lëvizjes se kanë deklaruar se do të jenë në protestë, megjithëse Vetëvendosje është kundër kësaj proteste.

KTV-ja ka provuar të marrë një reagim nga lëvizja Vetëvendosje, por zyrtarët për informim në lëvizje kanë thënë se gjithçka që kanë pasur të flasin për opozitën e kanë thënë deri tash.

Temat
LajmeVend

Të afërta