Vendimmarrja e re në BE e favorizon Kosovën

Profesori universitar, Vigan Qorrolli, thotë se proceduralisht hapi vijues është ai i bashkëvendimmarrjes së Këshillit të BE-së dhe të Parlamentit Evropian, ku që të dyja këto institucione të BE-së duhet ta aprovojnë propozimin e Komisionit.

“Pas vendimit të Këshillit dhe PE-së të cilat veprojnë si bashkëlegjislator në këtë procedurë – amendamentohet rregullorja për vizat, dhe shpallet vendimi në fletoren zyrtare. Pas përfundimit të gjithë kësaj procedure, afërisht 3 javë pas shpalljes në fletoren zyrtare të BE-së, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë me pasaporta biometrike drejt vendeve të BE-së. Kjo do të bëhet e ditur me kohë, meqë ende nuk kemi një datë se kur do të ndodhë. Mund të shkoj nga 6 javë deri në 6 muaj prej ditës së propozimit të KE-së”, ka sqaruar Qorrolli, duke thënë se e rëndësishme është që para pushimeve të verës, të gjithë procedurat në BE të përfundojnë, shkruan zeri.info

Qorrolli ka treguar se si është e rregulluar vendimmarrja në Bashkimin Evropian.

“Vendimmarrja e re në BE, sipas Traktatit të Lisbonës e favorizon Kosovën, meqë vendimi merret sipas përfaqësimit mazhoritar me formulën 55 për qind e shteteve që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së 28 shteteve të BE-së. Prandaj ka pak gjasa të merret një vendim tjetër… Në Parlamentin Evropian kërkohet shumica e thjeshtë dhe ne e dimë që ka disa Rezoluta të PE-së që kanë kërkuar në gjithë këto vite liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për kosovarët”, ka shtuar Qorrolli.

Profesori universitar më tej ka thënë se qytetarët tanë kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm 90 ditë brenda secilës periudhe 180-ditëshe – vetëm për çështje biznesi, turizmi ose vizita familjare, por assesi për çështje pune, studimi apo të tjera. Sipas tij, duhet të bëhet një kampanjë për informimin e qytetarëve se për çfarë mund të shfrytëzohet liberalizimi.

“Duhet një kampanjë më afirmative e informimit derë më derë për qytetarët sepse ata mund të mos jenë në dijeni se çka duhet të bëjnë dhe çka nuk duhet të bëjnë gjatë qëndrimit në ndonjë vend të BE-së”, ka thënë më tej Qorrolli. /Zeri/

Temat
LajmeVend

Të afërta