Ja çfarë duhet të dini për liberalizimin dhe ku mund të udhëtoni

Në ditën kur do të ndodh liberalizimi i vizave, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të udhëtojnë në të gjitha shtetet e Zonës Schengen. Megjithatë për të realizuar udhëtimet në këto shtete ekzistojnë disa rregulla dhe detyrime që duhet të respektohen.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka thënë për KosovaPress, se është e afërt dita kur do të fillojë lëvizja pa viza, brenda këtij viti dhe është shprehur i bindur që qytetarët e Kosovës “do të respektojnë rregullat në kuadër të këtij procesi të shumëpritur nga të gjithë kosovarët”.

“Komisioni Evropian ndërmori iniciativën ligjore, e cila i hap rrugë lëvizjes pa viza të qytetarëve të Kosovës në të gjitha shtetet anëtare të zonës Schengen. Lëvizja pa viza në këto shtete ofron mundësi të shumta praktike për qytetarët e Kosovës, të cilët janë më meritorët për këtë të arritur. Falë mbështetjes, mirëkuptimit dhe durimit që treguan qytetarët në këtë proces dhe fal përkushtimit dhe punës së jashtëzakonshme të të gji tha institucioneve në vend, organizatave të shoqërisë civile e mediave, arritëm këtë sukses të përbashkët”, ka thënë ministri Çollaku.

Nga të dhënat e Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), Ministri kjo e cila ka pasur barrën kryesore në kuadër të këtij procesi, në kuadër të kampanjës vetëdijësuese për liberalizimin e vizave thuhet se shtetetnë të cilat udhëtohet pa viza janë shtetet anëtare të zonës Schengen, e cila përfshinë: Austrinë, Belgjikën, Republikën Çeke, Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Hungarinë, Islandën, Italinë, Letoninë, Litenshtajnin, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Holandën, Norvegjinë, Poloninë, Portugalinë, Sllovakinë, Slloveninë, Spanjën, Suedinë dhe Zvicrën. Njëherit kjo konfirmohet edhe në vet dokumentin formal apo rekomandimin për liberalizimin e vizave të Komisionit Evropian, ku qartazi përmenden shtetet ku do të mund të udhëtojnë kosovarët pa viza.

Liberalizimi i vizave mundëson qëndrim deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) për të gjithë qytetarët e vendit në shtetet e Zonës Schengen.

Sipas MIE-së, për t’u udhëtuar pa viza qytetarët duhet të posedojnë pasaportë biometrike të Republikës së Kosovës, dokumente që dëshmojnë se keni mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin në shtetin përkatës, dokumente që tregojnë vendin ku do të qëndroni, arsyet e vizitës si dhe sigurimin shëndetësor.

Nga ana tjetër kjo ministri shpjegon se liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk mundëson punësim në shtetet e zonës Schengen dhe nuk jep të drejtë të kërkohet azil.

“Assesi nuk mund të tejkaloni ditët e përcaktuara të qëndrimit në shtetet përkatëse.Policia kufitare e shtetit Schengen ka të drejtën t’i mohojë hyrjen çdo qytetari në rast të dyshimit se do të mund të keqpërdorej qëndrimi në shtetin përkatës”, thuhet në broshurat informuese të kësaj ministrie.

Në rast të shkeljeve dhe abuzimit me rregullat e caktuara precizohet se pasojat për individin përfshijnë: shqiptim të gjobës në të holla, shënim në dosjen ku figuron shkelja dhe ndalim të hyrjes në zonën Schengen për 5 vitet në vijim. Në rast se qytetarët keqpërdorin të drejtën e udhëtimit pa viza, atëherë BE-ja mund të suspendojë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Nga MIE, bëjnë të ditur se fushatainformuese do të intensifikohet gjithandej vendit në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar mbi të drejtat dhe detyrimet që ofron lëvizja pa viza në shtetet e Zonës Schengen. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta