Seremb Gjergji: Erdogani demokratizoi Turqinë, Lepaja: Erdogan nuk e demokratizoi Turqinë (Video)

Në emisionin AntiPod në First Channel, ku temë e diskutimit ishte liberalizimi i vizave, pos tjerash u diskutua edhe roli i Turqisë në Bashkimin Europian.Të ftuarit në studio, Seremb Gjergji dhe Fadil Lepaja, patën qëndrime të kundërta në lidhje me rolin e Turqisë në Europë dhe demokratizimin e saj.

Seremb Gjergji tha se Turqia i ka plotësuar kushtet kur tha se nuk do të lejojë refugjatët sirianë të shkojnë në Europë duke shtuar se liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë asgjë me fundamentalizmin islamik sepse Arabia Saudite e ka liberalizimin e vizave me Europën që shumë kohë dhe kanë të drejtë të levizin pa viza në Europë.

Gjergji tha se kushti kryesor është që Turqia ka garantuar për mosdestabilizim të Europës, çdo ligj në kuadër të shteteve të Bashkimit Europian të jetë e ngjashme edhe në Turqi, me ndonjë ndryshim të vogël, konform traditës dhe zakonit, por jo diçka tjetër në aspektin e përmasave.

Gjergji shtoi se një arsye shtesë se Erdogani e demokratizoi Turqinë është që hoqi të drejtën e kryeministrit për të caktuar udhëheqësit komunalë.Ai tha se Erdogani e ka hequr Turqinë edhe nga kriza ushtarake duke e demokratizuar vendin edhe më tutje.

Gjergji u shpreh se edhe ne kosovarët duhet ta zhvillojmë vendin në këtë aspekt.

Por analisti dhe kolumnisti Fadil Lepaja nuk është pajtuar në as një pikë sa i përket qëndrimit të Gjergjit për Erdoganin dhe demokratizimin e Turqisë.

Lepaja tha se Erdogani nuk ka plotësuar asgjë në aspektin e përmbushjes së kushteve nga ana e Turqisë për liberalizimin e vizave. Ai tha se sa i përket krizës së refugjatëve ka fituar fuqi të presionit dhe Europa e ndodhur përballë fluksit të jashtëzakonshëm të refugjatëve nga lindja, bëri kompromise serioze me Turqinë për ta ndalur këtë proces sepse ajo ishte dera hyrëse e Europës për refugjatët dhe ajo duhet të jetë prapë vendi ku ata mund të kthehen në origjinë.

Lepaja mendon se Turqia ka fituar fuqi të jashtëzakonshme të presionit edhe e mori liberalizimin e vizave pa e plotësuar pjesën më të madhe të kushteve , duke detyruar Gjermaninë të lejojë procesin gjyqësor edhe kundër një gazetari i cili kishte përqeshur Erdoganin.

Ai më tutje tha se kjo është hera e parë kur lejohet të cënohet liria e shprehjes në mediat gjermane, gjë që në Gjermani për keto çështje nuk mund të ngritet proces, por Merkel e bëri edhe këtë kompromis duke ditur se gazetari prapë do të përfundojë i lirë.

Lepaja theksoi se duhet të kesh fuqi të jashtëzakonshme për të kontestuar një prej postulatëve të demokracisë.

Temat
LajmeVend

Të afërta