Site icon first-channel tv, Prishtinë, Kosova

Kuvendi komunal i Prishtinës miraton tri pikat që kishte në rend dite

Pavarësisht se një mbledhje e ngjashme ishte anuluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, Kuvendi i Komunës së Prishtinës edhe sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën janë aprovuar tri pika të rendit të ditës.

Me shumicë votash anëtarët e Kuvendit komunal të Prishtinës miratuan propozim-vendimin për caktimin e komisionit për udhëheqjen dhe koordinimin e punës në terren për përzgjedhjen e këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane; propozim-vendimin për formimin e grupit punues për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane të Komunës së Prishtinës si dhe propozim-vendimin për vazhdimin e afatit shtesë për lirimin e hapësirave nga AKP-ja.

Por para se të fillojnë votimin për pikat e rendit të ditës asamblistët nga PDK-dhe LDK-ja kanë diskutuar për anulimin e mbledhjes së kaluar, e që është anuluar nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Kryesuesi i Asamblesë, Hamit Hamiti, tha se punonjësit e MAPL kanë bërë të qartë në lidhje me mbledhje e kaluar ndërsa sipas tij edhe ftesa për mbledhjen e sotme që është thirrur urgjentisht nuk është e rregullt pasi që pikat nuk janë të natyrës urgjente.

E asamblisti Lirak Çelaj nga PDK ka kundërshtuar Halimin duke thënë se reagimi i Ministrisë ka ardhur pas kërkesës së grupit të asamblistëve të PDK-së, pasi që nga fillimi këta anëtarë kanë parë shkeljet të ligjit.

Ndërkaq asamblisti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Flamur Shala tha se udhëheqësit e Komunës së Prishtinës duhet të kërkojnë falje për mos ndjekjen e proceduarve për ftesa të tilla.

Por kritikat e opozitarëve i ka kundërshtuar nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, i cili tha se mbledhje është mbledhje inaguruese e jo mbledhje e jashtëzakonshme. /Telegrafi/

Exit mobile version