Gazetarët duhet të kenë kujdes në paraqitjen e fëmijëve në media

Në të gjitha raportimet e medieve në të cilat pasqyrohet gjendja e rëndë financiare e familjeve në Kosovë, në qendër të vëmendjes janë fëmijët.

Në të tilla raportime shohim këmbë të zbathura, çati që pikojnë, muret gati të rëna përtokë dhe një fëmijë që flet për gjendjen e rëndë ekonomike, e përbirë nga jeta e mjerë.

Por si ndikon tek këta fëmijë dalja publike në media?! Sa ndikojnë mediet në aspektin psikologjik dhe social mbi këta fëmijë? A duhet që media të ketë kujdes të veçantë në paraqitjen e fëmijëve në opinion?

Para disa kohësh ka dal një kronikë në RTV Dukagjini, ku është paraqitur një nënë me pesë fëmijët e saj jetim, Teuta. Gjendja e mjerueshme në të cilën ajo jetonte, e shtyri që të bëj një hap të madh. Të bëj publike jetën e saj. E, bashkë me të edhe fytyrat e fëmijëve të saj, pos vajzës së vogël.

Ajo në një prononcim për Telegrafin, tha pasqyrimi i jetës së saj të vështirë ka bërë që qytetarët të mobilohen dhe ta ndihmojnë. Teuta tha se tashmë fëmijët janë të gëzuar me banesën e re, dhe aspak nuk janë përqeshur nga bashkëmoshatarët e tyre, pas daljes publike në televizion.

“Prej gëzimit që kanë pasur fëmijët e mi, asgjë nuk i ka thënë askush. Ata sot kanë më shumë shokë e shoqe. Iu ka realizuar një ëndërr e tyre”, tregoi ajo, për gëzimin e fëmijëve të saj.

Edhe Arbnori 12 vjeçar, djali i Teutës tha për Telegrafin se ndjenja e tij që u bë me banesë të re, nuk përshkruhet.

“Kurrgjë, nuk më ka thënë askush. Jam ndier shumë mirë. I gëzuar që jemi bërë me shtëpi”, tha Arbnori gjithë entuziazëm.

Për kronikën e nënës me pesë jetim, autori i kësaj kronike Arben Ahmeti nga RTV Dukagjini ka pohuar që është në dijeni të rregullores mediatike, e cila mbron fëmijët.

Në një prononcim për Telegrafin, Dashamir Bërxulli, tha se diskutimi bazë për paraqitjen e fëmijëve në media mund të trajtohet në dy aspekte: pozitive dhe negative.2-24-780x439

Sipas tij, paraqitja e fëmijëve në media tërheq vëmendjen e opinionit për çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë më fëmijët.

“Duhet të vendosim agjendën lidhur me atë, që duhet të plotësohet në raport me të drejtat e fëmijëve sipas konventave ndërkombëtare. Kjo tregon që shoqëria, për dallim nga e kaluara, më e pakta u kushton rëndësi fëmijëve dhe zhvillimit të tyre, ndërsa optimalja i vendos prioritet mbi prioritetet”, tha Bërxulli për Telegrafin.

E sa i përket aspektit negativ të çështjes, fëmijët mund të bëhen objekt i bullizmit nga bashkëmoshatarët dhe rrethi në të cilën jetojnë.

“Në radhë të parë do të na duhet të theksojmë, se ka disa probleme në të cilat përqendrohet debati lidhur me paraqitjen e fëmijëve në media. Në varësi të asaj, se cila është arsyeja për të cilat mediet i paraqesin fëmijët në ekrane apo me foto, dalin në pah edhe problematika të veçanta. Nëse këta fëmijë dalin për shkak të gjendjes së tyre sociale-ekonomike, atëherë ata mund të bëhen objekt i bullizmit nga bashkëmoshatarët dhe rrethi në të cilin jetojnë. Po ashtu, mund të bëhen objekt i sjelljeve bulliste në rrjete sociale. Më tej, evidencat tregojnë, se paraqitja e këtyre fëmijëve në media mund të prodhojë depresion dhe ankth, ose mund të theksojë simptomat përkatëse në rast të problemeve në shëndetin mental të këtyre fëmijëve”, tha Bërxulli duke shtuar po ashtu, se një paraqitje në raste problematike në media mund të asocojë me një imazh të identitetit negativ të adoleshentit, gjë që ka shanse reale, që të brendësohet si model nga vetë i riu.

2

Sipas tij, mediet duhet të tregohen të kujdesshme dhe të mos zbulojnë me figurë identitetin e fëmijëve.

“Mendoj, që mediet te ne në këtë pikë kanë treguar një ndjeshmëri të madhe dhe përgjithësisht nuk kanë qenë instrumentale, duke ngritur me të drejtë kauza të fëmijëve të gjendur në margjinat e shoqërisë. Sidoqoftë, duke pasur parasysh efektet, që mund të kenë te vetë fëmijët, mediet mund të bëjnë kujdes, që të mos zbulojnë me figurë identitetin e fëmijëve, sidomos në rastet kur kjo gjë është tërësisht e panevojshme dhe një problematikë e caktuar mund të ngrihet edhe pa qenë e nevojshme, që të paraqitet imazhi i fëmijës/ve”, shtoi tutje psikologu Bërxulli për Telegrafin.

Por, në emisionin ‘Edhe unë jam Kosovë’, kemi parë imazhe të fëmijëve në hapësirën e jetës së tyre. Merita Sekiraqa, drejtuesja e këtij emisioni në një prononcim për Telegrafin tha se gjëja më e rëndësishme është ruajtja e imazhit të fëmijëve nëpër media, e cila sipas saj për momentin nuk zbatohet.

“Gjëja më e rëndësishme që ka ndodh është rregullorja mediatike, e cila ndalon publikimin e imazhit të fëmijëve. Ka mbetur vetëm të zbatohet ajo, ngase jemi dëshmitar të publikimit të fëmijëve nëpër media edhe pas hyrjes në fuqi të rregullores e cila mbron imazhin e fëmijës”, tha ajo.

Mirëpo, Sekiraqa tha se në emisionin e saj mundohet në maksimum që të ruaj imazhin e fëmijëve, edhe pse prindërit i japin leje.

“Nëse flas për emisionin tim kushtuar varfërisë ‘Edhe unë jam Kosovë’, në secilin rast fëmijët janë ata që i vuajnë pasojat e skamjes. Edhe pas kërkesave të prindërve të këtyre fëmijëve që t’i pasqyrojmë para kamerës, ne nuk e bëjmë një gjë të tillë. Maksimalisht e ruajmë imazhin e fëmijës duke ditur se nuk është as etike që fëmija të përqeshet nga shoqëria për shkak të skamjes”, tha ndër të tjera ajo.

Drejtuesja e emisionit ‘Edhe unë jam Kosovë’, e ka një lutje për kolegët e saj.“Do t’i kisha lutur edhe kolegët tjerë gazetarë, që të mos abuzojnë me imazhin e fëmijëve tanë për të realizuar kronikat e tyre, ndonëse ata kur të rriten nuk do të na e falin një gabim të tillë i cili mund ta dëmtojë të ardhmen e fëmijës”.

Telegrafi intervistoi edhe sociologen Dhurata Prokshi, e cila tha se paraqitja mediale e fëmijëve dhe shfrytëzimi i imazheve të tyre është i rregulluar me anë të ‘Konventave për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve’.

Sipas saj, duhet të mbrohet integriteti i fëmijës dhe se mediet duhet të jenë tejet të kujdesshme gjatë zhvillimit të kronikave, në të cilat fëmijët mund të jenë protagonist,apo fokus i temës.

“Paraqitja mediale e fëmijëve, shfrytëzimi i imazheve të tyre është i rregulluar me anë të Konventave për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, me atë rast parashihet marrja e pëlqimit të prindit në rast të kërkesës për fotografi apo xhirim. Një veprim i tillë duhet të aplikohet pavarësisht asaj se a është për qëllim paraqitja e gjendjes së fëmijës në mënyrë pozitive/promovimit të arritjeve e talentit apo mirëqenia e dobët e familjes dhe fëmijës”, tha Prokshi.
3-18-780x439
Prokshi, po ashtu tha se këto kronika nxitin reaksione tek njerëzit që të ofrojnë ndihmë, mirëpo paraqitja e fëmijëve pa asnjë censurë ndikon në raportin e tyre me shoqërinë.

“Jo rrallë na ndodh të shohim prezantim të fëmijëve në kronikat ku është për qëllim vetëdijesimi i opinionit mbi gjendjen e rëndë të familjes ku bëjnë pjesë fëmijët, me atë rast bëhet thirrje për t’i dal në ndihmë asaj familje. Me siguri që paraqitja e fëmijëve në këto kronika nxit reaksione tek njerëzit që të ofrojnë ndihmë, megjithatë aspekti negativ i kësaj paraqitje të fëmijëve në këto familje, pa as një censurë ndikon në raportin e tyre me shoqërinë, shkollën. Fëmijët me paraqitje të tillë ka mundësi që të lëndohet emocionalisht, pasi që nga shokët dhe shoqet mund të ju ekspozohet komenteve që mund ta lëndojnë dhe të ja ulin vetëvlerësimin”, tha ajo duke potencuar edhe njëherë se mediet duhet të jenë të kujdesshme.

“Mediet mos të keqpërdorin identitetin dhe imazhin e fëmijës në përpjekje që kronika të jetë sa më e fuqishme dhe me ndikim për publikun”, ishte mesazhi i sociologes Dhurata Prokshi.

Ndryshe, Kodi i Mediave të Shkruara në Kosovë sqaron, në pikën e VI, ndalimin e intervistimit apo fotografimin e fëmijëve nën moshën 18 vjeçare, pa pëlqimin e prindit apo ndonjë të rrituri i cili është përgjegjës për fëmijën.

Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve
Gazetarët nuk do të duhej të intervistojnë apo të fotografojnë fëmijë nën moshën 18 vjeçare rreth çështjeve të cilat bëjnë fjalë për familjen e tyre, pa pëlqimin e prindit apo të ndonjë të rrituri i cili është përgjegjës për fëmijën.
Gazetat, portalet dhe agjencitë e lajmeve në asnjë mënyrë nuk do të identifikojnë fëmijët nën moshën 18 vjeçare të cilët janë të përzier në vepra penale, qoftë si dëshmitarë, apo të pandehur.
Trajtimi i rrëfimeve mbi tragjeditë personale duhet të zhvillohet me kujdes, ndërkohë që ndaj individëve të prekur me tragjedi duhet pasur qasje mirëkuptimi dhe diskrecioni./Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta