Çfarë u sekuestrua gjatë aksionit të sotëm në Prishtinë e Ferizaj, me vlerë dhjetëra miliona euro

Me iniciativë të Prokurorit të Shtetit, Prokuroritë Themelore në Prishtinë dhe Ferizaj, pas hetimeve të kryera dhe grumbullimit të provave, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot kanë kryer disa aksione në këto dy qytete.
Përmes një komunikate, Prokuroria ka njoftuar se ka liruar disa objekte të uzurpuara dhe objektet në fjalë tashmë janë të lira nga uzurpuesit, derisa procedura penale kundër uzurpatorëve do të zhvillohet më tutje pranë gjykatave kompetente.

Me kërkesë të prokurorive, gjykatat kanë urdhëruar sekuestrimin e aseteve si në vijim:
3 pompa të derivateve,
1 depo në sipërfaqe prej 86 ari tokë,
56 hektarë tokë në regjionin e Ferizajt.
Ndërsa në Prishtinë janë sekuestruar – tokë dhe ndërtesa si dhe 5 lokale në pjesë të ndryshme të Prishtinës, duke përfshirë lokale edhe në vet qendrën e kryeqytetit.

Sipas Prokurorisë, një vlerësim fillestar i këtyre pasurive kap shumën prej dhjetëra milionë euro asete të sekuestruara.
“Rastet në fjalë janë iniciuar pas raportimeve në media dhe Prokurori i Shtetit shfrytëzon rastin të falënderojë të gjitha mediat për punën hulumtuese dhe informatat e tilla të dobishme nga të cilat janë iniciuar edhe shumë e shumë raste të tjera që janë në proces e sipër. Prokurori i Shtetit informon opinionin se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe se jemi thellësisht të përkushtuar për sundim të ligjit dhe rendit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Shtetit ka garantuar vazhdimësi, intensifikim dhe luftë të pa kompromis të krimit, ndërsa, po ashtu garantojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se ata do të jenë në gjendje të gëzojnë të drejtën e tyre në pronë, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Temat
LajmeVend

Të afërta