Lajme

Vranë 82 vjeçaren, mbesa dhe i dashuri akuzojnë njëri tjetrin

By Emanuel Demaj

May 05, 2016

Ka marrë një kthesë tjetër gjykimi i çështjes së dy të rinjve që akuzohen për vrasjen e një të moshuare në Shkodër.

Kanë kërkuar gjykim të shkurtuar dhe në të njëjtën kohë kanë mohuar akuzën e vrasjes, por gjyqi ndaj dy të rinjve Xhoana Hila dhe Eraldo Qatipit u shty për në 10 maj, për shkak të kompleksitetit të ngjarjes ku mbeti e vrarë 82 vjeçarja Angje Hila.

Përpara togave të zeza, dy të akuzuarit drejtojnë akuzat ndaj njëri- tjetrit për vrasjen e 82- vjeçarjes, duke mos pranuar se kane kryer vetë krimin. Por, organi i akuzës, ka kërkuar që të mos pranohet gjykimi i shkurtuar, duke qenë se të dy të rinjtë mohojnë krimin.

Duke kërkuar më shumë kohë për të analizuar kërkesën e palëve, gjykata e shtyu seancën gjyqësore, ndërsa familjaret e të ndjerës kanë ripërsëritur kërkesën për drejtësi.

“Jemi këtu për të vazhduar për të nxjerrë të drejtën e nënës time”, ka thënë Andrea Hila, djali viktimës.

Përpara trupit gjykues prokurori Xhevahir Hita, bëri publike provat filmike dhe tabulatet e celularëve që përshijnë në këtë krim çiftin e Eraldo Qatipi dhe Xhoana Hila. Sipas prokurorisë dy të rinjtë e kishin planifikuar vjedhjen e të moshuarës dhe më pas kanë kryer vrasjen e saj, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit të shkuar.