Lajme

Lamtumirë geto!

By Emanuel Demaj

May 05, 2016

Përfundimisht dje u thye izolimi afatgjatë për Kosovën, duke mos mbetur shteti i vetëm në Ballkan pa liri të lëvizjes në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian edhe zyrtarisht rekomandoi heqjen e vizave për kosovarët, por me kusht që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Komisioni Evropian edhe zyrtarisht i ka rekomanduar dje Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Propozimi është bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Komisionari për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, duke zyrtarizuar lajmin për Kosovën, ka thënë se tashmë do të varet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian për të vendosur se kur do të hiqen përfundimisht vizat.

Në Këshill vendimi për propozimin e Komisionit do të merret me shumicë të kualifikuar. Sidoqoftë, Avramopolous ka thënë se maksimumi sa mund të zgjasë procesi teknik deri në lëvizjen pa viza është deri në tre muaj.

Ndërkohë ai ia ka kujtuar Kosovës se deri në momentin që ky propozim të futet në fuqi vendi duhet të ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, si dhe të bëjë hapa konkretë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. /Zëri/