Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” në Zvicër mbështet fuqishëm protestën më 9 Maj në Shkup
ByA RE postuar më 04-05-2016, 11:34 keshilli
Rezistenca kombëtare shqiptare vazhdon, dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Thirrjet për një protestë gjithë popullore më 9 Maj në Shkup janë një lajm i mirë dhe obligon të gjithë shqiptarët nën flamurin kuq e zi të protestojnë kundër diskriminimit të shqiptarëve, nga të gjitha institucionet shtetërore të IRJM. Dhuna dhe terrori shtetëror mund të largohet vetëm me protesta dhe demonstrata gjithë popullore sepse diktatura nuk njeh rregulla demokratike. Gjatë këtyre 26 viteve të të ashtuquajturit pluralizëm politik institucionet e shtetit IRJM nuk kanë bërë asnjë ndryshim nga dhuna dhe terrori shtetëror i ish- Jugosllavisë mbi shqiptarët.
Prandaj ne, anëtarët e Shoqatës Atdhetare “Liria Kombëtare” në Zvicër përkrahim pa rezervë protestën e paralajmëruar, duke shpresuar se kjo protestë do të shndërrohet në protestë gjithë popullore, me qëllim që t`i bëhet me dije qeverisë sllavo-maqedone se dhuna dhe terrori shtetëror mbi shqiptarët do të bie edhe mbi ta.
Të gjitha proceset e montuar politike si Bit-Pazari, Gostivari, Breza e Malina, Sopoti, Brodeci, Velesi, Manastiri, Radusha, Monstra, Kumanova etj., etj., thërrasin ndërgjegjen kombëtare që të protestojmë fuqishëm kundër diskriminimit dhe dhunës shtetërore mbi shqiptarët autokton. Protesta i lë me një anë ndasitë ideologjike dhe fetare tek shqiptarët.
Protesta është kërkesë për liri, prandaj kjo protesta si e tillë është dhe protesta jonë, protesta e mërgimtarëve shqiptarë, protesta e anëtarëve të Shoqatës Atdhetare “Liria Kombëtare” në Zvicër.