Muharremi: Kosovarët janë të mençur, nuk do t’i hyjnë aventurave të migrimit

Njohësi i fushës së integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi në një prononcim për Telegrafin tha se tashmë Qeveria e Kosovës duhet të intensifikojë fushatat informuese lidhur me liberalizimin e vizave dhe çështjeve tjera që lidhen me këtë proces.

Muharremi në një prononcim për Telegrafin sqaroi për qytetarët se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk nënkupton leje pune, por lëvizje të lirë për një afat 90 ditë.

“Sigurisht që Qeveria e Kosovës duhet të intensifikoj fushatën informative që të njoftoj publikun dhe qytetarët se çka d.m.th liberalizimi i vizave. Pra nuk është një leje pune, por lëvizje për një afat të kufizuar për 90 ditë. Padyshim që lëvizja e lirë do të kontribuojë në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së si dhe rrugëtimin drejtë anëtarësimit në BE”, tha Muharremi për Telegrafin.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës përkundër kushteve jo të mira socio-ekonomike nuk do ndërmarrin aventura për familjet e tyre që të rrezikojnë dhe humbin kursimet e tyre.

Ai tha se siç dihet qytetarët e Kosovës nuk kualifikohen për azil në shtetet anëtare të BE-së, përveç rasteve të jashtëzakonshme.

“Momentalisht 98-99% të aplikimeve për azil refuzohen. Andaj mendoj që qytetarët e Kosovës përkundër kushteve jo të mira socio-ekonomike nuk do ndërmarrin aventura për familjet e tyre që të rrezikojnë dhe humbin kursimet e tyre”, ka thënë ai për Telegrafin.

Gjithashtu ai tha se Kosova po mundohet që të projektoj marrëdhënie të partneritetit me BE-në.

“D.m.th nga çështjet e azilit të kemi partneritete biznesore, të bëjmë tregti që studentët, sportistët, artistët e gazetarët të përfitojnë si dhe shumë familjarë të kenë mundësi të vizitojnë familjaret e tyre në BE”, shtoi tutje ai.

Mirëpo, cilat masa mund t’i marr BE nëse ka fluks të migrimit?

“Vendet anëtare të BE-së kanë ndërtuar mekanizmin funksional të procesimit të aplikacioneve për kosovarët si dhe është përshpejtuar marrja e vendimeve. Për më tepër kthimi i tyre në Kosovë është i shpejtë pas refuzimeve. Thjeshtë, nuk ja vlen. Kosovarët janë të mençur dhe nuk do provojnë aventura të tilla. Vizioni i jonë është të krijojmë partneritet me BE-në dhe jo të jemi barrë”, u shpreh Shenoll Muharremi për Telegrafin.

Ndryshe, komisioneri për çështje të brendshme dhe migrim i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramapolous njoftoi se Komisioni Evropian i ka propozuar sot Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. /Telegrafi

Temat
LajmeVend

Të afërta