Shpesh, karbohidratet shihen si gjëja e parë që duhet eliminuar. Por, Aisling Pigott, një eksperte britanike ushqimi, thotë se patatet, orizi, makaronat dhe buka kanë pak kalori dhe shumë vitamina, kështu që janë shumë të ushqyeshme.
“Karbohidratet shndërrohen në glukozë kur qarkullojnë në organizëm. Kjo glukozë “magazinohet” në muskuj dhe mëlçi si glikogjen, së bashku me ujin. Në fakt, kur në një dietë pa karbohidrate shihet menjëherë rënie në peshë, është humbje uji dhe jo një rënie në peshë e vërtetë e trupit”, shpjegon Pigott.
Ekspertja thotë se në përditshmërinë tonë duhet të ketë patjetër karbohidrate.
“Janë një burim shumë i rëndësishëm energjie. Energjia i duhet muskujve dhe i duhet gjithashtu trupit për funksionet bazike. Më e rëndësishmja, truri nuk punon dot pa energji. Trurit i duhet glukoza. Nëse nuk konsumojmë karbohidrate, trupi do të detyrohet të prodhojë vetë glukozë nga proteinat dhe yndyrnat. Ky proces na bën të ndihemi të lodhur, të na vijë për të vjellë dhe të kemi erë të keqe të gojës”, shton Pigott.
Ajo nënvizon se karbohidratet janë edhe një rregullator i oreksit. Sipas saj, njerëzit nuk e kontrollojnë dot oreksin pasditeve, për shkak se gjatë ditës i kanë mohuar vetes karbohidratet.
Por, Pigott jep edhe një këshillë: “Pavarësisht të mirave që sjellin, karbohidratet do ju shëndoshin nëse i hani në sasi të tepërta. Na japin energji dhe kjo gjë është shumë e mirë. Gjithsesi, energjia e tepërt e marrë dhe energjia e paktë e djegur do të çojë në shtim peshe. Çdo ushqim që hahet në sasi më të mëdha sesa është nevoja e trupit, ju shëndosh”, shpjegon Pigott./Telegrafi/