Ndërsa qytetarët e Kosovës me të drejtë gëzohen që vendi i tyre sot ka korrur një sukses të madh duke u anëtarësuar në Federatën Europiane të Futbollit (UEFA), kundërshtarët, të prirë nga Serbia, mund të mobilizohen.
Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se Federata Europiane e Futbollit është e përçarë në një çështje të ndjeshme politike: 24 prej 54 federatave anëtare votuan të martën në Budapest kundër pranimit të republikës ballkanike të Kosovës. «Me gjasë kundërshtarët, të udhëhequr nga Federate e Futbollit e Serbisë, duan të anulojnë anëtarësimin e Kosovës nga Gjykata e Arbitrazhit në Sport (CAS)». Selia e kësaj gjykate gjendet në Lausanne. Është e njëjta gjykatë që pati vendosur në favor të Shqipërisë pas ndeshjes kundër Serbisë në Beograd.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung”» kritikon udhëheqësit e UEFA-s, të cilët ende i qëndrojnë besnik presidentit Michel Platini, i cili për shkak të shkeljeve etike është suspenduar si funksionar për gjashtë vjet. Thua se nuk ka ndodhur asgjë, Platini në faqen e internetit të UEFA-s ende figuron si president dhe si zëvendëspresident i FIFA-s – ndonëse është përzënë nga Federata Botërore e Futbollit, shkruan gazeta nga Frankfurti. Deri më tani UEFA nuk ka nisur hetimet në lidhje me një pagesë prej dy milionë franga që shefi i atëhershëm i FIFA-s Joseph Blatter ia kishte paguar Michel Platinit. “Shpresoj dhe dëshiroj që Micheli pas pak ditësh të jetë në mesin tonë», tha zëvendësi i tij në UEFA Angel Maria Villar. Ky funksionar nga Spanja edhe vetë është i favorizuar nga sistemi i korruptuar i FIFA-s”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” citon shefin e Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili u përpoq të pengojë Kosovën me argumentin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, andaj s’mund të jetë as e UEFA-s. Ky argument nuk qëndron fare, sepse edhe Zvicra nuk ka qenë anëtare e OKB-së deri në vitin 2002, por nuk është penguar as nga FIFA, as nga UEFA të marrë pjesë në të gjithë turnirët e futbollit. Këtë fakt mediat zvicerane nuk e përmendin fare kur bie fjala për Kosovën.
Sipas “Neue Zürcher Zeitung” sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Zvicrës Alex Miescher ka deklaruar se nuk ndihet mirë, sepse pakoja e Kosovës është tepër e madhe – «në pikëpamjen politike dhe sportive». Miescher tha se Kosovës mund t’i urohet mirëseardhje, por pastaj do të ketë probleme, sepse «sot dimë pak për mundësitë e udhëtimit të Kombëtares dhe mbi statusin e lojtarëve të Kombëtares». Ky ishte një aludim në ekipin e Zvicrës, për të cilin luajnë disa futbollistë me origjinë nga Kosova. Ditëve të fundit mediat zvicerane kanë spekuluar gjerësisht se Shaqiri, Behrami, Xhaka dhe të tjerët mund t’ia kthejnë shpinën Zvicrës dhe të luajnë për Kosovën. Zyrtarisht Federata e Futbollit e Zvicrës kishte paralajmëruar se e mbështeste anëtarësimin e Kosovës në UEFA.
Se a mund të luajnë për Kosovën futbollistët kosovarë, të cilët kanë mbrojtur ngjyrat e Zvicrës, është çështje që duhet të sqarohet nga FIFA. “Neue Zürcher Zeitung” citon shefin e çështjeve juridike të UEFA, Alasdair Bell, i cili ka thënë se «tani duam një përgjigje të qartë» nga FIFA. Edhe gazeta zvicerane parashikon se për shkak të kundërshtimit të madh të Kosovës çështja e anëtarësimit mund të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit në Sport në Lausanne. Por nëse Kosova pranohet javën e ardhshme në FIFA në Kongresin që do të mbahet në Meksikë, atëherë futbollistët kosovarë nuk duhet të kenë frikë. Dhe festa në Kosovë mund të vazhdojë.
Gazeta “Tages Anzeiger” nënvizon se nuk mund të përjashtohet mundësia që ndonjë lojtar i reprezentacionit të Zvicrës të vendosë të luajë për Kosovën, por ka argumente të mira për Zvicrën. Disa lojtarë nuk kanë shtetësi kosovare, në anën tjetër perspektiva në Kombëtaren e Zvicrës është më e mirë, po ashtu në Kosovë gati se mungon infrastruktura sportive. Gazeta citon Valon Behramin, i cili dikur kishte deklaruar: «Është Zvicra që ka bërë punën për neve, që ka investuar për ne. Zvicra, jo Kosova. Por duket se nuk është me rëndësi çfarë ka menduar dikur Behrami, por çfarë mendon sot.
Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung’ shkruan se Michel Platini ishte vazhdimisht kundër pranimit të Kosovës – edhe për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me shefin e Federatës së Futbollit të Serbisë Tomislav Karaxhiq. Edhe kur Joseph Blatter më 2012 i kishte lejuar Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore kundër 208 shteteve anëtare të FIFA-s, Platini kishte qenë kundër.