Misteri i njeriut që nuk fjeti për 40 vjet

Frustrated man and sleeping woman
Thonë se mungesa e gjumit shkakton probleme të shumta, duke përfshirë edhe çmendurinë.
Nëse ju ka ndodhur që të mbeteni pa gjumë, apo të vuani për disa ditë nga pagjumësia, atëherë e dini shumë mirë për çka e kemi fjalën. Ata që kanë pasur problem me gjumë do ta kenë më lehtë që t’ia besojnë një njeriu, i cili është në qendër të një rasti mjekësor nga viti 1915. Ai është njeriu i vetëm që ia doli të jetonte pa gjumë për një periudhë të gjatë kohore,raporton gazeta Kosova Sot

Rasti i pabesueshëm i ushtarit hungarez

 Gjatë Luftës së Parë Botërore, Paul Kern, ushtar hungarez, ishte plagosur në kokë. Pasi që u shërua nga lëndimi i lobit frontal të trurit, ai më nuk mund të flinte, e as të përgjumej, as edhe me ilaçe të forta. Doktorët i kishin thënë me keqardhje se nuk do të mund të jetonte për një kohë të gjatë, por më pas ishin befasuar kur e kishin parë të kundërtën. Kern mbijetoi. Në vend që të flinte, ai herë pas here vetëm shtrihej, duke i mbyllur sytë, që të pushonte sadopak. Ai vazhdoi që të jetonte, ta bënte një jetë normale, pa gjumë, për plot 40 vjet, derisa vdiq në vitin 1955. Plagosja kishte ndodhur në vitin 1915. Një plumb rus kishte shpuar kafkën e tij dhe Kern kishte ngelë i alivanosur në fushëbetejë. Plaga ishte serioze, meqë plumbi ia kishte hequr një pjesë të pjesës së përparme të trurit. Pasi që u shpëtua, Kern mori ndihmë mjekë- sore në spitalin Lemberg. Përfundimisht, pas një operacioni për ta hequr plumbin, atij iu kthye vetëdija. Dhe, që nga ai moment, deri në vitin 1955, kur vdiq, Kern nuk futi gjumë në sy. Pas mjekimit fillestar, ai u dërgua në Budapest, ku u bë subjekt i testimeve të shumta nga specialistët e trurit dhe nervave nga e mbarë Evropa. Të paaftë që të zbulonin ndonjë anomali me anë të rrezeve x, ekspertët nuk dinin se si ta cilësonin gjendjen e ishushtarit.

Çka u ndodh të tjerëve, e çka Kernit?

Rëndom, kur njerëzit nuk flenë për një kohë relativisht të gjatë, ata fillojnë që të kenë halucinacione dhe të çmenden. Deprivimi i gjumit mund të çojë deri te humbja e peshës, demenca, paranoja dhe – vdekja. Por, me përjashtim të dhembjeve të rralla të kokës, Kern nuk kishte pasoja të tjera nga mungesa e gjumit. Ai punonte si administrator qeveritar, pa pasur as edhe më të voglën shenjë të përkeqësimit. Në fillim ai përpiqej që të flinte, por orët e tëra të qëndrimit në shtrat pa fjetur filluan që ta lodhnin edhe më shumë, sesa kur rrinte zgjuar. Dikur ai e bëri zakon që të shtrihej e të rrinte me sy të mbyllur rreth 2 orë në ditë. Edhe pse gjatë kësaj kohe ai përgjigjej në të gjitha ngacmimet, pra nuk ishte në gjumë, ekspertët mendojnë se gjatë atyre dy orëve truri i tij arrinte që të çlodhej mjaft, sa për të funksionuar mirë gjatë pjesës tjetër të kohës.

Temat
Fun

Të afërta