Dega e Nismës në Ferizaj i bashkohet Vetëvendosjes

Visar Ymeri ka falënderuar anëtarët e rinj për bashkëpunimin e deritashëm. Ai tha se me rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje, po rritet edhe shpresa për një Kosovë me integritet.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri edhe një herë ka bërë të ditur se subjekti që ai udhëheq nuk do të marrë pjesë në protestën e 14 majit, të paralajmëruar nga dy partitë e tjera opozitare, AAK dhe NISMA. Këto deklarata, Ymeri i bëri sot në Ferizaj, ku dega e Nismës në këtë komunë, zyrtarisht iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje.

Ymeri ka falënderuar anëtarët e rinj për bashkëpunimin e deritashëm. Ai tha se me rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje, po rritet edhe shpresa për një Kosovë me integritet.

Ymeri ka sqaruar se kjo nuk është luftë mes partive opozitare se kush po merr më shumë anëtarë, por sipas tij, këto të rinj janë të vendosur në qëndrimet e tyre kundër qeverisjes aktuale.

Ndërsa, ish kryetari i Nismës në Ferizaj tani i anëtarësuar në LVV, Valon Ramadani tha se nuk i ka ndryshuar bindjet politike, por ka gjetur vetën në këtë subjekt.

“I takoj gjeneratës së re dhe dua të jem me të rinjtë. Nuk i kam ndryshuar bindjet politike i kam ato bindje por thjeshtë e kam gjetur vetën në këtë subjekt. LVV është treguar bindëse për ndryshimin”, tha ai.

Temat
Përgjithshme

Të afërta