Botë

Presion që Brukseli t’i hapë Kosovës rrugën e liberalizimit të vizave

By FIRST CHANNEL

May 02, 2016

Pas deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Qeverisë, Isa Mustafa, dhe ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, se Komisioni Evropian ka konstatuar se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga procesi i liberalizimit të vizave”, “Koha Ditore” ka kontaktuar me disa burime të Komisionit Evropian dhe që nga vizita e kryeministrit Mustafa e deri sot të gjitha këto burime kanë dhënë të njëjtën përgjigje: “Ne kemi folur në takim për progresin pozitiv” dhe kanë shtuar se nuk mund të konfirmojnë se është konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret nga ana e Kosovës.

Nëse do të gjykonim nga gjuha që përdoret në BE, përgjigjja e zyrtarëve të Komisionit Evropian do të duhej të kuptohej si porosi se nuk do të ketë edhe për një kohë të gjatë liberalizim vizash, sepse nuk mund të konstatohet përmbushja e kritereve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por duke pasur parasysh rrethanat shumë të çuditshme në BE rreth çështjes së vizave, gjithçka është e mundur të ndodhë, madje edhe konstatimi se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret” dhe dhënia e rekomandimit që të hiqen vizat.