Heronjtë tanë modern, kthehuni ta bëjmë Kosovën fuqi futbolli

Kemi pritur 17 vite dhe pritjes është duke i ardhur fundi. Kemi pritur për pranimin e Kosovës me të drejta të plota në UEFA dhe ëndrra e madhe për pranim po realizohet.

Kanë kaluar dy vite që kur na është dhënë leja për të luajtur ndeshje miqësore me fusnotë, por tani e tutje Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë e barabartë me të gjitha përfaqësueset tjera evropiane.

Data 3 maj e vitit 2016 do të mbahet në mend përgjithmonë në vendin tonë, pasi edhe ne do të jemi në UEFA, edhe Kosova do të ketë të drejtë të luajë në kualifikime për në kampionate si evropiani apo botërori.

Shumë investitor kanë qenë në futbollin e Kosovës dhe janë larguar të dëshpëruar, pasi krejt çfarë kanë fituar kanë qenë disa kupa sa për statistikë, por tani do të jetë ndryshe.

Futbolli në Kosovë pritet të përmirësohet edhe më shumë, pritet të ketë investime më të mëdha, skuadrat do të luftojnë më shumë për tu shpallur kampione pasi do të dalin edhe në arenën ndërkombëtare për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Hungaria ka ditur të jetë një shtet mik për Kosovën në përgjithësi dhe pikërisht në kryeqytetin hungarez Budapest, pritet të jepet lajmi historik për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës me të drejta të plota në UEFA, të martën e 3 majit.

Kosova i ka dhënë shumë futbollit evropian dhe përfaqësueseve tjera, si Shqipëria, Suedia, Norvegjia, Zvicra,Belgjika, Finlanda, Gjermania, Austria e të tjera që kanë në radhët e veta futbollistë cilësorë të lindur në Kosovë.

Tani është radha e rikthimit, pasi vendlindja e tyre po i thërret për tu bashkuar dhe për të qenë të denjët në Evropë.

Shumë djem kosovar janë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe janë heronjtë tanë modern për kualifikimin historik por duhet të qëndrojnë aty ku janë.

Vendi ynë ka shumë heronj, por edhe të tjerë do të ketë. Shumë burra e gra e dhanë jetën që gjeneratat e reja të jenë të barabartë me moshatarët e tyre në Evropë dhe ata që kanë dhënë jetën për këtë tokë janë heronjtë tanë.

Koha e rikthimit ka ardhur dhe Kosova i pret me krahë hapur bijtë e saj si Xherdani, Graniti, Valoni, Përparimi, Shania, Florenti, Adnani, Floriani dhe yje të tjerë që janë pjesë e Përfaqësueseve tjera.

Dikush ka dhënë jetën për këtë vend, por djem që luani futboll nga ju nuk kërkohet të jepet jeta e juaj, nga ju kërkohet të ktheheni të luani për vendin tuaj dhe ta përfaqësoni atë denjësisht për tu bërë heronjtë tanë modern. E gjithë Kosova po ju pret, ejani dhe vazhdoni të na bëni krenar.

Si gazetar i sportit dhe si mik i shumicës nga legjionarët, kam marrë shumë premtime nga këta djem se në momentin e pranimit do të jenë aty ku duhet të jenë, do të kenë të veshur fanellën e Kosovës.

Bisedat që kam pasur me këta djelmosha që po na bëjnë gjithnjë e më shumë krenar kam kuptuar se sa shumë e duan vendlindjen e tyre, por që nuk patën mundësi ta përfaqësonin dhe janë të emocionuar se kjo mundësi jetësore po i vije.

Disa ju kanë quajtur tradhtarë, por e kanë bërë nga mos dija, ju e keni rastin më të mirë t’i tregoni të gjithëve se nuk jeni tradhtarë, por jeni ambasadorët më të mirë të vendit dhe kthehuni për ta përfaqësuar Kosovën para të gjithëve ashtu siç po bënë Majlinda Kelmendi.

Temat
Opinione

Të afërta