Republika e Kosovës ka refuzuar të nënshkruajë Memorandumin e mirëkuptimit për parimet e përgjithshme dhe veprimet konkrete që do të ndërmerren për zhvillimin e një tregu rajonal të energjisë, shkruan sot Koha Ditore.
Në Memorandumin e mirëkuptimit që është nënshkruar të mërkurën në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë mungon vetëm nënshkrimi i përfaqësuesve të Republikës së Kosovës, përkatësisht Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Kosovës ( KOSTT), Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Në Memorandumin, që është publikuar në ueb-faqen e Sekretariatit të Energjisë, figurojnë të gjitha nënshkrimet e përfaqësuesve të operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të pesë vendeve të tjera të rajonit: Mali të Zi, Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Për mosnënshkrimin e këtij memorandumi ka vendosur ministrja e dialogut, Edita Tahiri. /Telegrafi/