Besa Famiglia nga Peja dhe Kastrioti nga Ferizaj do të luajnë në finalen e Kupës së Kosovës në hendboll, në konkurrencë të meshkujve.
Ekipi pejan në gjysmëfinale eliminoi Prishtinën, duke e mposhtur me rezultatin 34:28, kurse ekipi ferizajas pati shumë më tepër punë me Zhegrën, duke e mposhtur me vetëm një gol dallim, 29:28. Ndërkohë në finale në konkurrencën e femrave janë kualifikuar Kastrioti dhe Prishtina.
Ekipi ferizajas mposhti skuadrën e Shqiponjës 46:40, derisa Prishtina ishte më e mirë se Istogu 24:21, shkruan Koha Ditore.
Të gjitha ndeshjet gjysmëfinale u zhvilluan të enjten në palestrën e Pallatit, Rinisë e të Sporteve në Prishtinë. Ndeshjet finale, zhvillohen të premten (sot), po ashtu në Prishtinë. E femrave nis në orën 14:30, kurse e meshkujve në orën 16:45.
Në të vërtetë të gjitha ndeshjet e zhvilluara të enjten ishin me rivalitet të lartë dhe fituesi u përcaktua vetëm në minutat e fundit.