Alarmon FMN, Qeveria po e rrezikon buxhetin

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa duket se do të ketë telashe të mëdha me paratë e buxhetit të shtetit nëse nuk ndërhynë në uljen e pensioneve për veteranët dhe invalidët e luftës.

Ndryshimin në skemën sociale është duke e kërkuar me ngulm edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë.
Madje, ky institucion ndërkombëtar është duke ia bërë me dije Qeverisë se po e rrezikon edhe buxhetin, duke kërkuar urgjentisht ndërhyrje në reformim të skemës sociale.

“Ngritja e shpejtë e shpenzimeve të lidhura me skemat sociale, në veçanti të skemave të lidhura me luftën, është duke rrezikuar buxhetin. Prandaj, arritja e marrëveshjes për reformimin e skemave të lidhura me luftën është kritike për të lëvizur përpara me programin e FMN-së”, ka thënë në një prononcim për Gazetën
Fjala shefi i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen.

FMN po kërkon nga Qeveria që pensionet e veteranëve të cilët aktualisht marrin 170 euro pension të zvogëlohen.

Sipas Ruud Vermeulen, kostoja vjetore e skemave të beneficioneve të lidhura me luftën vitin e ardhshëm mund të arrijë 100 milionë euro apo edhe më shumë, kundrejt 60 milionë euro që ishin ndarë në buxhetin e vitit 2016.

“Sipas mendimit tonë, 60-75 milionë euro janë më së shumti që mund të shpenzohen në vit për të gjitha skemat sociale të lidhura me luftën. Nuk ka hapësirë për më shumë në buxhet, meqë çdo euro i shpenzuar në këto beneficione është euro që nuk do të mund të shpenzohet në prioritete të tjera kritike, siç janë ndërtimi i shkollave dhe spitaleve, aftësimi i mësimdhënësve dhe mjekëve, apo ndërtimi i infrastrukturës kritike”, ka thënë shefi i FMN-së për Gazetën Fjala.

Ndërkaq, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në përgjigjet dhënë Gazetës Fjala thotë se ende nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga FMN lidhur me çështjen e skemës sociale.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga FMN-ja lidhur me këtë çështje. Ajo lidhur me këto çështje ka folur në raportin i cili tashmë është publik. Ne kemi takime të përgjigthshmë me FMN-në”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Punës.

Ndërkohë FMN po thotë se për skemën e veteranëve ka diskutuar me Kryeministrin dhe qeverinë e tij lidhur me nevojën për t’i ulur shpenzimet në skemat e lidhura
nga lufta.

“Qeveria ka pranuar se diçka duhet të bëhet, për arsyet e cekura më lartë. Ne jemi këtu për t’i mbështetur përpjekjet e qeverisë për rishikimin dhe reformimin e këtyre skemave. Natyrisht, është me rëndësi që të sigurohet një mbështetje e gjerë politike për këto reforma, përndryshe ato nuk do të kenë sukses”, ka thënë FMN për Gazetën Fjala.

Ky Fond po shpreh shqetësimin se deri më sot numri i veteranëve të certifikuar të luftës është mbi 30,000 që tejkalon konsiderueshëm vlerësimin fillestar prej 15,000 deri 20,000 kur skema e veteranëve të luftës u paralajmërua për herë të parë.

Sipas FMN-së ka shqetësime gjithnjë e më të mëdha lidhur me pensionet që kanë të bëjnë me invaliditetin e luftës.

“Deri në fund të këtij muaji, më shumë se 23,000 të këtyre veteranëve të luftës do të marrin të ashtuquajturin pension të veteranit të luftës, shumë më shumë se 13,000 që pritej në fillim të zbatimit në tetor të vitit 2015”, thuhet në përgjigjen e FMN-së.

E Ministria e Punës thotë se ende nuk e ka një listë përfundimtare lidhur me numrin për numrin përfundimtar të veteranëve. “Derisa nuk kemi një numër të sakt ne nuk mund të flasim. Ne momentalisht i kemi në lista rreth 21 mijë veteran, ende nuk ka një numër përfundimtar. Ministria nuk është duke e paraparë uljen e pensioneve për veteranët”, shprehet Ministria e Punës.
Ndërkohë që Ministria e Financave nuk jep detaje se a i ka mbërritur ndonjë kërkesë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e pagave të veteranëve. Kjo ministri nuk ka dhënë detaje as lidhur me shumën se sa parashihet që veteranët të marrin pensione duke thënë se për këtë çështje detaje duhet të jap Ministria e Punës.

“Për këto çështje të kontaktoni më Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Muharrem Shahini.

Gazeta Fjala poashtu ka kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës e cila ka thënë se për këtë çështje duhet të jap përgjigje Ministria e Punës dhe ajo e Financave.

E për shkak të mosmarrëveshjeve mes këtij institucioni financiar ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës veteranët ende nuk i kanë marrë pensionet në vlerë prej 170 euro, që duhej tu dilnin në llogari me 25 prill. Që tre ditë veteranët janë duke pritur partë e pensionit.

Këtë e ka konfirmuar Smajl Elezaj, ushtrues detyre i kryetarit të OVL të UÇK-së.

“Pensionet ende nuk kanë dal në llogaritë e veteranëve. Nuk e di se ku ëhstë problemi”, ka thënë Elezaj.
Por nëse paga e veteranëve bie mbi vlerën minimale veteranët paralajmërojnë protesta para Qeverisë së Kosovës.

“Ne i mbetemi pas kërkesave tona. Ne e kemi thënë se edhe ky pension që është caktuar me pagën minimale nuk është i mjaftueshëm. Ne kemi bërë kërkesë që të rriten pensionet e në asnjë mënyrë nuk guxojnë që të zvogëlohen. Dhe ligji thotë që pensioni nuk guxon të jetë nën pagën minimale në Kosovë”, ka thënë Xhavit Jashari nga OVL e UÇK-së.

Ndërkohë Fondi Monetar Ndërkombëtarë thotë se arritja e marrëveshjes për reformimin e skemave të lidhura me luftën është kritike për të lëvizur përpara me programin e FMN-së.

Ndonëse sipas FMN-së ka pasur progres të ndjeshëm në shumë fusha në kuadër të programit të mbështetur nga Fondi, duke përfshirë kthimin nën kontroll të deficitit buxhetor, përmirësimin e mjeteve të mbikëqyrjes dhe të politikave të bankës qendrore, apo rritjen e efikasitetit dhe transparencës në prokurimin publik

“Pa reforma, rregulla fiskale do të shkelet në vitin 2017 e tutje, gjë që do të minonte besimin, investimin dhe rritjen. Për ne, është me rëndësi që programi të mbështesë një ekonomi të shëndoshë dhe një buxhet që nxitë rritjen dhe i cili përkujdeset për nevojat e vendit”, ka thënë FMN për Gazetën Fjala.
FMN publikisht e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se buxhetin nuk po e shfrytëzon në shëndetësi, edukim dhe projektet tjera kapitale të cilat do të nxisnin rritjen ekonomike dhe do të reduktonin varfërinë vë në pah FMN.

Aktualisht pensioni që veteranët marrin është 170 euro.

Në rast të një marrëveshjeje e tillë, siç kërkon FMN-ja, atëherë është i domosdoshëm ndryshimi i ligjit për veteranët, pasi aty thuhet se veterani luftëtar duhet të marrë pensionin jo më të vogël se paga minimale në vend, e që në Kosovë është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç, e 170 për ata mbi këtë moshë. /GazetaFjala/

Temat
LajmeVend

Të afërta