Pacolli kërkon bisedime urgjente me Serbinë, për të zhdukurit

Kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se delegacioni i Kosovës duhet të thërrasë palën serbe për bisedime në Bruksel. Kjo sipas Pacollit, duhet të ndodhë menjëherë, në mënyrë urgjente, sikur asnjëherë më parë.

Dhe këto bisedime, sipas Pacollit duhet të bëhen për të kërkuar nga pala serbe që të na japë listën e të gjithë shqiptarëve që gjenden në territorin e saj.

“Informacioni i plotë dhe i përditësuar për të pretenduarit si të zhdukur nuk ka lidhje me njohjen e shtetësisë së Kosovës, por me humanizmin ndaj familjeve të tyre. Ku janë djemtë, vajzat, burrat, gratë dhe fëmijët tanë: në cilat varre masive, në cilat burgje nëse kanë mbetur, nëpër Serbi apo jashtë saj?”, ka shkruar ndër tjerash Pacolli në Facebook.

Ja postimi i plotë:

Delegacioni i Kosovës duhet të thërrasë palën serbe për bisedime në Bruksel menjëherë, në mënyrë urgjente, sikur asnjëherë më parë.

Serbia duhet të na japë listën e gjithë shqiptarëve që gjenden në territorin e saj.

Është njerëzore, është politike, është juridike, është detyruese kjo.

Është humbur shumë kohë, por duhet të marrë fund kjo situatë.

Kryeministri serb, Vuçiq, duhet ta tregojë me fakte se sa njerëzor është në adresimin e kësaj çështje.

Informacioni i plotë dhe i përditësuar për të pretenduarit si të zhdukur nuk ka lidhje me njohjen e shtetësisë së Kosovës, por me humanizmin ndaj familjeve të tyre.

Ku janë djemtë, vajzat, burrat, gratë dhe fëmijët tanë: në cilat varre masive, në cilat burgje nëse kanë mbetur, nëpër Serbi apo jashtë saj?

Edhe ne do duhet të japim informacion në lidhje me serbët që gjenden në territorin tonë.

Të njëjtën gjë qeveria serbe duhet ta bëjë edhe për ata shtetas të Kosovës, të etnisë serbe.

Kështu do të kemi konfirmim të saktë të numrit të serbëve të zhdukur, apo të zhvendosur nga Kosova.

Nuk do kemi më spekullime duke fryrë numrin e tyre sepse kjo nuk i shërben askujt. Do ishte tallje me humanizmin.

Besoj që edhe Bashkimi Evropian duhet të ndihet përgjegjës pse në temat e Brukselit nuk e ka vendosur më herët temën e të zhdukurve.

Nuk është interesant rasti i Sejdi Thaçit, a është e vërtetë apo e inskenuar, e vërteta qëndron se edhe 1600 shqiptarë janë të pagjetur e Kosova para kësaj situate nuk mundet me ndejt duarkryq.

Qeveria duhet të veprojë jo me fjalë, por me vepra konkrete. Është turp për ne të jemi indiferentë para kësaj tragjedie kombëtare.

Dhe diçka, sapo u zgjodha president, ndërsa ndeshesha përditë me fotot e të zhdukurve, që rrinin në shi, në borë, në pluhur, në erë në gardhin e Presidencës.

Të nderuar vendimmarrës të Kosovës! Ndërtoni një monument për të pagjeturit para institucionit të Kuvendit dhe Presidencës! Kështu do të kujtoheni për shumë, për ata që dhanë jetën për shtetin tonë të ri, për të zhdukurit e pavarr, të një genocidi të pashembullt në kohën tonë!

Temat
LajmeVend

Të afërta