Lajme

Mashtrimi me vizat kanadeze

By Kamil Sopi

April 28, 2016

Vetëm dy ditë pasi ishin shpallur në kërkim për mashtrim financiar në shuma të mëdha monetare, Luli Makashi dhe vajza e saj Adeila kanë hyrë në dyert e policisë së Tiranës të prangosura, rreth orës 00 e 40 minuta të së enjtes.

Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Interpol Roma arritën të bindnin Departamentin e Policisë Kanadeze për ndalimin dhe më pas riatdhesimin e dy të akuzuarave.

Sipas burimeve mësohet se në momentin që nënë e bijë kanë zbritur në Aeroportin e Montrealit, ato janë ndaluar dhe iu është bërë me dije anulimi i vizave 10 – vjeçare, që kishin në pasaporta.

Nga hetimet janë konstatuar 150 aplikime, shumica prej të cilave për viza pune në Kanada.

Ndërkohë, ka rezultuar se Luli dhe Adeila Makashi, për sigurimin e këtyre vizave kishin lidhur kontrata me kompani dhe kolegje të ndryshme në Kanada, Amerikë, Angli dhe Australi.

51-vjeçarja mësohet se bashkëpunonte dhe me disa avokatë të emigracionit në Shtetin e Kanadasë, ku njëri prej tyre do të shpallë kandidaturën për deputet, në zgjedhjet e ardhshme në qytetin e Montrealit.

Prokuroria dhe Policia po punojnë për identifikimin edhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Makashi ia kishte shitur kompaninë për vetëm 1 euro bashkë me borxhe dhe detyrime Klevis Rreshkës dhe më pas ishte larguar nga Shqipëria, duke zbrazur të gjitha llogaritë bankare të firmës.