Ja si do të funksionojë Byroja Kombëtare e Hetimit

Hapen procedurat për dhënien me koncesion të ndriçimit publik në bashkitë Tiranë dhe Durrës. Kush është kompania daneze që kërkon të investojë dhe përfitimet nga sistemi i ri. Qeveria vendos shqyrtimin e propozimit.

Qeveria ka miratuar dje vendimin, i cili i hap rrugë shqyrtimit të koncesionit të ndriçimit publik për bashkitë e Tiranës dhe Durrësit. Tashmë, Ministria e Energjisë, së bashku me dy bashkitë e mëdha, do të shqyrtojnë ofertën e pakërkuar të kompanisë daneze “HeSaLight” e njëkohësisht do të hapë ofertat edhe për kompanitë simotra që do të synojnë të marrin këtë treg. Sa i përket arsyes pse “HeSaLight” kërkon të bëhet pjesë e partneritetit, është pikërisht kostoja e lartë që ata kanë parë në pagesat e bashkive kundrejt operatorit të energjisë, një kosto që ata synojnë ta reduktojnë mbi 50 për qind.

Pas hapjes së procedurës në faqen zyrtare të Kryeministrisë, burime nga Ministria e Energjisë shpjegojnë për “Shekulli”-n qëllimin e investitorëve danezë dhe studimin e tyre për Tiranën e Durrësin. “Kompania daneze ka bërë një studim, se sa mund të ulet konsumi i energjisë elektrike, me llambat ekonomike LED. Përmes këtij studimi, kompania ka bërë dhe ofertën e pakërkuar. Ata kanë bërë studimin për eficiencën në energji dhe sa do të ulet kostoja financiare e dy bashkive, nëse do të ndërrojnë sistemin e ndriçimit”, citon ministria, teksa thotë se studimi ka mbërritur në formën e ofertës për Partneritet Publik Privat. “Meqë në këtë ofertë, si autoritete kontraktore preken dhe bashkitë, ministria nuk mund të administrojë e vetme dhe e paautorizuar nga Këshilli i Ministrave. Vendimi i sotëm (djeshëm) autorizon 3 autoritetet kontraktore”, citojnë burimet. Lidhur me procedurat që do të ndiqen për të vendosur ose jo, mbi nismën e danezëve, ato do të ekzekutohen sipas disa etapave.

“Ministria do të administrojë zyrtarisht ofertën e pakërkuar dhe bashkë me bashkitë do të japë vlerësimin nëse ky studim është i vlefshëm në aspektin financiar etj. Në rast se aprovohet si e tillë, atëherë hapet një garë, dhe ftohen subjekte të tjera, përveç atij që ka sjellë ofertën e pakërkuar (danezët mund të kenë një bonus për shkak të iniciativës). Më pas, shpallet rezultati dhe në qoftë se del një fitues, bashkia e Tiranës dhe ajo e Durrësit lidhin kontratat”, shpjegoi ministria. E pyetur për ndikimin që do të ketë ky projekt mbi bashkitë apo qytetarët, Ministria e Energjisë argumenton përfitimet. “Sot bashkia e Tiranës harxhon X lekë, vetëm për pagesën e energjisë elektrike nga buxheti i vet. Nesër, përmes llambave ekonomike LED, mund të përgjysmojë koston vjetore. Pra, bashkia i paguan operatorit gjysmën e kostos që i paguan sot. Pra, lehtëson kostot afatgjata të bashkisë dhe nuk ka lidhje me individin final”, citon Ministria.

Kundër

Një javë më parë, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i kërkoi ministrit Gjiknuri të kthejë mbrapsht projektin për dhënie me koncesion të ndriçimit të rrugëve në Tiranë e Durrës, pasi, sipas tij, projekti nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në mënyrën se si është hartuar del mbi ligjin. Në datën 1 prill, Ministria e Energjisë i kishte kërkuar asaj të Drejtësisë të shprehej në lidhje me një projektvendim për të zhvilluar një tender, ku do t’i jepej me koncesion një firme daneze ndriçimi publik i Tiranës dhe Durrësit.

Por, ministri i Drejtësisë, duke kthyer përgjigje, e quajti të paligjshëm zhvillimin e tij. Sipas ministrit, është një cenim i autonomisë vendore në një kohë kur qeveria hyn në çështjet e administrimit të një shërbimi që u takon bashkive. Përveç tejkalimit të kompetencave, ai vë në dyshim projektin, duke u shprehur se është e paqartë zanafilla e propozimeve të kompanisë daneze “HeSaLight”A/S, që ka kryer një studim për sistemin e ndriçimit në Bashkinë Tiranë dhe Durrës. “Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk duhet të jetë autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie koncesioni ndriçimin publik në territoret e bashkive, pasi ajo është autoritet politikëbërës dhe standardizues, nuk është një autoritet zbatues. Ministria e Energjisë nuk është pronar i çdo çelësi dritash”, ka shkruar Manjani në letër.

Danezët

Sipas faqes së internetit, ku kompania daneze “HeSaLight” A/S transmeton të dhënat për aktivitetin e saj, thuhet se ajo ka një përvojë 8-vjeçare në tregun e energjisë. “Fokusi ynë, në përgjithësi qëndron në aplikimet e ndriçimit në tregun profesional dhe ne operojmë në më shumë se 30 vende përqark botës. Qysh nga themelimi në vitin 2008, kemi shtrirë aktivitetin, duke pasur një performancë të lartë për produktin e ofruar”, thekson kompania. Lidhur me shpjegimin për llambat LED, kompania thotë për to se përdorin afërsisht 85 për qind energji më pak se ndriçimi inkandeshent, pra duke kursyer ndjeshëm në faturat e energjisë.

Koncesionet, raport i detajuar për të marrë “OK”

Kontratat koncesionare dhe ato Partneritet Publik Privat tashmë do të kalojnë në disa filtra para se të miratohen. Ministria e Ekonomisë ka forcuar rregullat, nisur nga pasojat negative që kanë sjellë për ekonominë e vendit me dhjetëra kompani që operojnë në vend si koncesionarë. Vendimi që ka kaluar dje në Këshillin e Ministrave “detyron” investitorët privatë të zbardhin përfitimet që do të ketë publiku, në aspektin financiar, mjedisor, social, etj. Ndryshimet referojnë gjithashtu edhe mënyrën e përzgjedhjes së kompanive që vetëofrohen, si dhe afatet përkatëse, si për tenderimet, ashtu edhe për rivlerësimin e studimeve, kur ato nuk janë të plota.

Mineralet, masat për daljen nga kriza

Rënia e çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare ka vënë në vështirësi prodhuesit shqiptarë. Për këtë shkak qeveria po përgatit një paketë masash lehtësuese për këtë industri, që nis nga ndryshimi i çmimeve referencë, të cilat ishin të vitit 2012, deri te lehtësitë teknike për kompanitë. “Ministria e Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave po diskutojnë një sërë masash të reja që kanë për synim mbështetjen e industrisë minerare.

Masa të cilat kanë të bëjnë me çështjen e garancive të investimit, garancive mjedisore si dhe kthimin e çmimit të referencës për eksport me çmime tregu dhe jo me disa çmime fikse të cilat qëlluan të jenë arkaike dhe që po rëndonin industrinë e kromit sidomos”. Në konferencën e anëtarëve të Shoqatës Botërore të Kromit, ministri Gjiknuri theksoi se objektiv i Qeverisë është tërheqja e investitorëve të fuqishëm dhe seriozë. “Objektivi i qeverisë shqiptare është tërheqja e investitorëve të fuqishëm dhe seriozë në sektorin minerar, duke theksuar faktin se kemi akoma burime të konsiderueshme ku ka mundësi për kërkim, zbulim dhe shfrytëzim”, tha ai. Gjinnuri foli për potencialet që ofron territori shqiptar dhe i ftoi kompanitë të bëjnë investime të reja për kërkime dhe shfrytëzim.

Investimet e huaja, reduktohen burokracitë

Investimet e huaja, për vitin 2015, kanë qenë në vlerën e 881 milionë eurove. Këto investime, sipas Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, kanë pësuar një rritje krahasuar me vitin 2014, që ishin në vlerën e 869 milionë eurove. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve, Ekonomi është shprehur dje se, edhe pse rritja ekonomike në vend është modeste, ajo mbetet e qëndrueshme. Numri i ndërmarrjeve me investim të huaj, për vitin 2015 ishte në 132 mijë, duke punësuar mbi 85 mijë persona. Sipas ministres, lehtësirat fiskale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi si dhe standardizimi i shërbimeve të administratës kanë bërë që investitorët e huaj ta shohin me prioritet vendin tonë për investime. Sipas ministres, të huajt mund t’i drejtohen lehtësisht Agjencisë Shqiptare për Nxitjen e Investimeve, pasi procedurat janë përqendruar në këtë ent. Çdo projekt detajohet dhe më pas shkon për miratimin në Komitetin e Investimeve Strategjike. Ekonomi u ndal edhe te lufta kundër informalitetit, për të cilën tha se do të vazhdojë me strategji konkrete.

Temat
Rajon

Të afërta