“Në mbrojtje të të krishterëve”: ky është titulli i veprimtarisë së promovuar sot nga misioni i Selisë së Shenjtë në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, seli e OKB-së. Në simpozium, përveç vëzhguesit të Vatikanit, imzot Bernardito Auza, marrin pjesë edhe personalitete të botës së krishterë e myslimane. Të pranishmit dëgjojnë edhe dëshminë e prindërve të Kayla Mueller, të riut që u rrëmbye dhe u vra nga Isis në Siri. Ndërkaq, rritet numri i njerëzve, që duan të marrin pjesë nesër mbrëma në nismën e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, në “Fontana di Trevi” (Shatërvani i Trevit). Monumenti historik në qendër të Romës do të bëhet i kuq si gjaku, me fasha drite të purpurta, pikërisht për të kujtuar gjakun e martirëve të krishterë të ditëve të sotme. Sipas raportit të fundit të Fondacionit, të krishterët e persekutuar në botë arrijnë shifrën e frikshme prej 200 milion vetësh.
Përveç pjesëmarrjes së mjeteve të shtypit dhe të institucioneve, edhe Kisha të ndryshme në botë, në çastin e ndezjes së dritës së kuqe, do të bashkohen në lutje me të pranishmit. Në veçanti, do të marrin pjesë të krishterët e Pakistanit, ata të Nigerisë e ata të Bagdadit, në Irak, ku do të jetë i pranishëm Patriarku kaldeas, imzot Sako.
Organizatorët shpresojnë të sensibilizojnë opinionin publik për këtë persekutim, që vijon edhe në epokën e demokracive perëndimore. Shpesh, është vetëm zëri i Papës Françesku ai, që ngrihet përmbi heshtjen e indiferencës. E shpesh i duhet pikërisht Atit të Shenjtë – si në rastin e motrave të Nënë Terezës, vrarë në Jemen – të kujtojë se “kaq pak i interesuan opinionit publik”.