Art

Në bibliotekën “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Librit

By FIRST CHANNEL

April 23, 2016

Me moton “Një lektyrë më shumë në bibliotekë, më shumë mundësi për edukimin e fëmijëve tanë”, sot në platonë e Bibliotekës Ndërkomunale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Librit, aktivitet i cili është karakterizuar me dhurim të librave, si dhe recitim të poezive nga nxënësit të shkollave të ndryshme të komunës së Gjakovës.

Po ashtu, janë ndarë edhe shpërblime e mirënjohje për lexuesit më të mirë të vitit. Në këtë aktivitet në emër të komunës së Gjakovës ka marrë pjesë drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Meriton Ferizi, ndërsa pjesëmarrës kanë qenë edhe shumë poetë e shkrimtarë nga Gjakova, në veçanti ata për fëmijë, të cilët janë takuar dhe kanë bashkëbiseduar me fëmijët e shumtë të mbledhur në këtë shënim.

Ndryshe, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Librit, komuna e Gjakovës i ka dhuruar Bibliotekës Ndërkomunale “Ibrahim Rugova”, libra për fëmijë në vlerë prej 1 mijë eurosh. /Kp