Lajme

Mustafa: Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në

By FIRST CHANNEL

April 21, 2016

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha të enjten se Kosova me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim e ka nënshkruar një prej dokumenteve më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë sonë, ndërkaq, ky dokument hapë rrugë për një proces të reformave thelbësore, ashtu siç është paraparë me këtë tryezë.

Mustafa këto komente i bëri në tryezën e Rrumbullakët me temën “Si ta shndërrojmë MSA-në në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës?”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

“Me nënshkrimin dhe ratifikimin në Kuvend të kësaj marrëveshje, Republika e Kosovës ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe këto marrëdhënie do të thonë më shumë të mira për njerëzit e Kosovës, dhe po ashtu edhe më shumë të mira për Bashkimin Evropian, si dhe më shumë stabilitet dhe integritet në këtë rajon”, u shpreh Mustafa. Ai tha se kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e rrugës së Kosovës për në BE, e cila ofron mundësi shumë të mëdha për reforma të ndryshme në sektorë të ndryshëm.

“Mirëpo, marrëveshja nënkupton edhe angazhimin e gjithë spektrit politik kosovar, Parlamentit të Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve të drejtësisë, partive politike, shoqërisë civile, bizneseve dhe shoqatave të tyre, si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Mustafa tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgatitur dhe ka aprovuar në fund të vitit të kaluar Programin Kombëtar të Republikës së Kosovës për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dokument kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e agjendës sonë evropiane.