Lajme

A do të ketë kundërkandidat Veseli për vendin e kryetarit të PDK-së?

By FIRST CHANNEL

April 19, 2016

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të premten do ta shpall kandidaturën për kryetar të kësaj partie.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, brenda PDK-së, Kadri Veseli nuk ka pranuar që të nominohet nga kryesia e partisë e cila kishte shprehur gatishmërinë që Veseli të jetë i nominuari i tyre.

“Veseli nuk ka pranuar në mbledhjen e kryesisë së PDK-së që kryesia ta nonimojë atë për kryetar të PDK-së. Por, Veseli ka vendosur që të premten ta shpall kandidaturën e vet për kryetar dhe pastaj do të jetë hapësirë për kandidatët tjerë që të kandidojnë”, ka thënë ky burim.

PDK, më 7 maj do të mbaj konventën e jashtëzakonshme në të cilën do të zgjidhet kryetari i ri Partisë Demokratike të Kosovës, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit i cili u zgjodh në postin e presidentit të Kosovës.

Por sipas sekretarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Basri Musmuratit, deri më tani kandidaturën për kryetar të PDK-së, nuk e ka paraqitur asnjë kandidat.

Ai ka thënë se ende nuk është caktuar se kur do të jetë afati i fundit deri kur kanë të drejtë ta paraqesin kandidaturën për shef të PDK-së, kandidatët e interesuar.

“Besoj se do të ketë kohë që kandidatët të paraqiten, përafërsisht një javë para se të mbahet Konventa e PDK-së – me 7 maj”, ka shtuar Musmurati.