Tahiri udhëton për Bruksel: Të zgjidhet çështja e certifikatave të ADR-së

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, do të jetë nesër në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Bashkimi Evropian në lidhje me çështjet urgjente në dialogun e Brukselit.

Ministrja Tahiri në fillim të javës së kaluar ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta ftoj takimin e radhës për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, për të cilat u bisedua në Vjenë më 4 prill 2016, por pa rezultate.

Tahiri kishte argumentuar se urgjentisht duhet të zgjidhet çështja e certifikatave të ADR-së sepse po cenohet marrëveshja për tregtinë e lirë.

 “Ministrja Tahiri po ashtu kishte reaguar në BE-në për fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë duke kërkuar që BE-ja të merr masa në pajtim me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Vazhdimi i deklarimeve nga zyrtarët e Serbisë ka bërë që Qeveria e Kosovës/MPJ të mos i jap leje zyrtarit serb Marko Gjuriq që të vizitoj Kosovën. Ndërkohë, të premten e kaluar ka ndodhur provokimi i radhës kur zyrtari serb Gjuriq ka hyrë ilegalisht në Kosovë duke shkelur marrëveshjen e Brukselit. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka reaguar në BE-në për shkeljen e radhës nga Serbia dhe zyrtarit të tyre si dhe ka marrë vendim që më 18 prill t’ju ndalohet hyrja ilegale të personave me leje ilegale të lëshuara nga strukturat paralele si dhe ka njoftuar Brukselin se çdo hyrje tjetër ilegale në Kosovë e personave të ndryshëm do të ketë përballje me forcën e ligjit të Republikës së Kosovës. Si rezultat i tensionimit të situatës, Bashkimi Evropian ka ftuar takim urgjent nesër në Bruksel”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Temat për diskutim në këtë takim janë ajo për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura si ADR, shkeljet e marrëveshjes për vizitat zyrtare nga ana e zyrtarëve të Serbisë duke hyrë edhe ilegalisht në Kosovë si dhe për ndalimin e vazhdimit të lëshimit të letërnjoftimeve nga strukturat paralele për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë së Serbisë.

Sa i për certifikatave ADR, pozicioni i Qeverisë së Kosovës mbetet ai i njëjti i rikonfirmuar nga ministrja Tahiri edhe gjatë takimit të Vjenës më 4 prill 2016 se pa njohjen reciproke të këtyre të certifikatave ADR nuk do të ketë as ndryshim të masës së reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Sa i takon masave ndaluese për hyrje dhe dalje në Kosovë me leje ilegale të njoftimit, Qeveria e Kosovës me kërkesën e Ambasadës amerikane dhe BE-së ka vendosur që zbatimin e vendimit ta shtyjë deri në mbajtjen e takimit nesër në Bruksel. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta