Lajme

Mustafa kërkon nga Italia përkrahje për proceset integruese euroatlantike

By FIRST CHANNEL

April 18, 2016

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministren e Mbrojtjes të Italisë, Roberta Pinotti.

“Gjatë takimit u bisedua për fuqizimin e vazhdueshëm të sektorit të sigurisë në Kosovë dhe rezultatet konkrete në këtë drejtim. Fillimisht, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e arritur në zhvillimin ekonomik,  forcimin e shtetit ligjor dhe proceset integruese euroatlantike”, thuhet në njoftimin për media.

Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se falë veprimeve legjislative dhe operative të institucioneve të Kosovës janë arritur rezultate inkurajuese, duke veçuar parandalimin e shkuarjes së njerëzve në luftërat e huaja.

Mustafa, po ashtu, vlerësoi lart rolin e KFOR-it dhe trupave italiane në kuadër të saj, për Kosovën.

“Duke falënderuar për përkrahjen italiane, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahje të mëtejshme për proceset euroatlantike, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e Kosovës për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Italinë”, thuhet më tej në njoftim.

Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Roberta Pinotti, vlerësoi lartë progresin në Kosovë, me theks të posaçëm në sektorin e sigurisë.

Ministrja Pinotti, po ashtu, shprehu përkrahjen e Italisë për Kosovën./Telegrafi/