Reali vetëm një pikë larg, pret gabimin e Barcës

Real Madridi ka qenë bindës në fitoren prej 5-1 kundër Getafes në Coliseum Alfonso Perez. Gjatë gjithë ndeshjes, Los Blancos në asnjë moment nuk e kishin të rrezikuar triumfin.

Karim Benzema ishte i pari që shënoi. Një harkim të James në zonë, sulmuesi francez e goditi me të parën dhe topi u ndal në rrjet (29’). Ndërsa në vazhdim, Cristiano Ronaldo pati dy shanse të mira për të shënuar.

 Pas disa shanseve të krijuara, Mbretërit arritën ta konvertojnë rastin e dytë në këtë takim. Një aksion i organizuar nga Isco u konkretizua nga vet ai. Spanjolli pasoi te Benzema, i cili asistoi drejt tij dhe mesfushori e dyfishoi epërsinë (40’).
Mysafirët e gjetën tri herë rrjetin në fraksionin e dytë. Gareth Bale pranoi një top nga Benzema dhe shkoi vet në sulm duke e përfunduar aksionin me gol (50’). Derisa për nderin e tifozëve vendas, Pablo Sarabia realizoi një gol të bukur (84’).

Golin e merituar në këtë sfidë e realizoi James Rodriguez, i cili me qetësi shmangu një mbrojtës dhe shënoi (87’). Një tjetër gol u shënua nga Cristiano Ronaldo në minutat shtesë (90’+2), i asistuar nga Jese.

Pas kësaj fitoreje, Real Madridi numëron 75 pikë, një më pak se lideri Barcelona që këtë javë luan kundër Valencias. /Telegrafi/

Temat
BotëSport

Të afërta