Papa Françesku do të marrë me vete në Itali 10 refugjatë

Raportohet se Papa Françesku ka ofruar që t’i marrë me vete në Itali 10 refugjatë, pas vizitës që po e realizon në ishullin grek Lesbos.

Televizioni shtetëror grek, ERT ka raportuar se tetë sirianë dhe dy afganë e kanë mundësinë që të largohen nga ishulli bashkë me Papën, kur ku i fundit ta përfundojë sot vizitën në Greqi.

Përfshirja e afganëve do të ishte një veprim simbolik, meqë Bashkimi Evropian nuk i konsideron më të gjithë afganët si refugjatë dhe nuk i përfshinë ata në mesin e shtetasve që u aprovohen aplikacionet.

 Papa Françesku po e viziton një qendër të refugjatëve në ishull. Aty ai po takohet me refugjatët dhe do të drekojë me disa prej tyre.

Papa Grançeskut i është bashkuar lideri shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në botë, Patriarku Bartholomew.

Kjo vizitë e Papës po konsiderohet si veprim i guximshëm për të shprehur solidaritetin me migrantët, çështja e të cilëve ka turbulluar politikën evropiane.

Vatikani tha se vizita e Papa Françeskut në ishullin Lesbos është krejtësisht humanitare dhe fetare për nga natyra, dhe se nuk ka qëllim që të jetë e natyrës politike apo kritikuese ndaj politikave të Bashkimit Evropian.

Ishulli grek ka pranuar me qindra mijëra azilkërkues, e shumë migrantë të tjerë kanë kaluar përmes këtij vendi. Lesbosi konsiderohet si një nga vendet që më së miri pasqyron krizën humanitare me të cilën po përballet Evropa./telegrafi/

Temat
BotëLajme

Të afërta