Ndërkohë, janë paraqitur edhe tre autorë të tjerë: Pranvera Bekteshi me “Clepsidra”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave” dhe Edlira Xhani me “Kohë e artë akulloresh”. Veprat e tyre do t’i paraqiten jurisë në mbledhjen e ardhshme, datë 19.04.2016.
Është viti i dytë që MAPO Editions, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare” pranë Universitetit Europian të Tiranës, organizojnë dhënien e Çmimit Letrar “Kadare” për prozën më të mirë në fushën e letrave shqipe, viti 2016. Thirrjet për dorëzimin e dorëshkrimeve janë hapur në nëntorin e vitit të kaluar, me shpalljen e fituesit të çmimit për vitin 2015 dhe vazhdojnë deri më 15 maj 2016.
Çmimi nuk fton asnjë shkrimtar ose emër të veçantë për të marrë pjesë. As nuk bën ftesa për nominime. Po ashtu, nuk ka rëndësi nëse është sprova e parë, apo jeni shkrimtar i njohur, jetoni në Shqipëri ose jashtë saj. Pra, të gjithë krijuesit janë të mirëpritur, mjafton të dërgojnë veprën e tyre brenda afateve të caktuara dhe në përputhje me kriteret e vendosura. Kriteret për të marrë pjesë janë po ato të vitit të kaluar dhe nuk ndryshojnë. Por meqenëse kemi pasur shumë pyetje, mendoj se është me vend të listohen përsëri: vepra letrare duhet të jetë në prozë, e pabotuar më parë nga asnjë shtëpi botuese, brenda ose jashtë vendit. Dorëshkrimi duhet të dërgohet me e-mail (valbona.nathanaili@uet.edu.al) në word ose pdf. MAPO Editions marrin të drejtën e botimit (tirazhi, formati, mënyra e paraqitjes janë ekskluzivitet i botuesit), shpërndarjes dhe përkthimit të veprës (kur është e mundur) të veprës fituese, kundrejt 10 000 euro që është mbështetja financiare që merr fituesi i çmimit. Sivjet, pjesë të aplikimit kemi futur edhe një deklaratë nga autori që vepra nuk është botuar më parë.
Juria për vitin 2016 përbëhet nga Preç Zogaj, Agim Baçi, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Gilman Bakalli, Rudolf Marku dhe Alfred Lela. Nga viti i kaluar ka lëvizje në përbërjen e jurisë, ndërsa vlera monetare e çmimit është po ajo, 10 mijë euro.
Çmimi do akordohet më 28 maj, në Razmë, në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës”, një aktivitet që ndjek të njëjtin rrugëtim, tashmë, me çmimin. E njëjta datë, simbolikisht, është edhe ajo e hapjes së thirrjeve për vitin në vijim.
Autorët që kanë dorëzuar dorëshkrimet, deri më datë 12.4.2016, janë gjithsej tetë. Në takimin e parë, zhvilluar më datë 12.04.2016, në mjediset e gazetës MAPO, juria ka marrë në dorëzim dhe është në proces leximi dhe vlerësimi për shtatë prej tyre, përkatësisht: Ada Çapi me “morPhina”, Artan Mullaj (Hari Mulla) me “Zemra flet në heshtje”, Gazmend Krasniqi me “Romani i dashurisë”, Gjin Nikolli me “Falja e gjakut”, Margarita Bardhi (Nikolli) me “Dhimjet e kohës”, Ndue Gaspri me “Njerëz të tepërt” dhe Thanas Medi me “Kohë e djegur”. Vepra e Albnore Durmishi Devetaku me titull “Në një proces tjetër”, ka ardhur vetëm në formën e abstraktit. Jemi në pritje të veprës së plotë.
Ndërkohë, janë paraqitur edhe tre autorë të tjerë: Pranvera Bekteshi me “Clepsidra”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave” dhe Edlira Xhani me “Kohë e artë akulloresh”. Veprat e tyre do t’i paraqiten jurisë në mbledhjen e ardhshme, datë 19.04.2016.
Nga veprat e paraqitura, pothuaj të gjitha janë romane. Vetëm një vepër është përmbledhje tregimesh dhe novelë. / KultPlus.com