Kosovës i duhet një konsensus për reforma institucionale, e jo konsensus për protagonizma politik

Shkruan: Fadil Maloku, sociolog

1. Konsensusi politik, në jetën publike kosovare ka ca kohë që është futur në diskursin politik, disi si një lloj zgjidhjeje, por, edhe satisfaksioni që po mundohet me çdo kusht të plotësoj shterpësinë dhe kreativitetin e protagonizmit të ca lidershipëve partiak dhe ca partive politike kosovare. Duke harruar kështu se koncepti i konsensusit, edhe si termë, e edhe si kategori e komunikimit sociopolitik, nuk ka të bëjë edhe aq me uniformitet a njëmendësi e të vepruarit, gjykuarit, e as me njëtrajtshmërinë e qëndrimit publik politik, por, më shumë me një tendencë racionale sociale, që hynë në funksion të një pajtimi koherent, e në interes të shtetndërtimit të vonuar dhe të kontestuar nga të gjitha anët.

2. Aktualisht, duket se kjo nuk po ndodhë në skenën politike dhe institucionet koaovare. Duket absurde që në emër interesave institucionale, e edhe atyre kombëtare, të kërkosh konsensus, pra pajtime partiake (me Programe e afinitete klanore!) e që ndërkohë, t’i kesh formalizuar me ligje dhe me Kushtetutë, institucionet shtetërore!? Konsensusi i kërkuar përmes tryezave, nga ca subjekte është absurd edhe për një fakt tjetër logjik; ne tani nuk jemi në vitet 90-ta, kur ky tip konsensusi apo pajtimi gjithëkombëtar atribuohej me terma dhe koncepte eufemiste (homogjenizëm, solidaritet organik, anomizëm, etj.)

3. Fitohet përshtypja dhe perceptimi i argumentit sociologjik, se Kosova në këtë fazë emancipimi sociopolitik shumë më shumë, ka nevojë për një model konsensusi institucional që duhet të zhvillohet brenda institucioneve që i kemi. Ky model, pas diskutimeve të shterura në aulat e Kuvendit, do të duhej të ofroj alternativa, kompromise, dakordime e zgjidhje si për; Reformën Zgjedhore (që tani nuk përputhet fare me zhvillimet dhe proceset aktuale, e as me nivelin e emancipimit), ashtu edhe për Reformën Kushtetuese (një lloj vetingu identik me atë në Shqipëri), e jo platforma, e skema partiake për temat që është duke i imponuar ritmi i agjendave evropiane. Arsyeja është e thjeshtë. Me reformë zgjedhore dhe atë kushtetuese, edhe fuzionohen agjendat evropiane, edhe hapën horizontet e ndryshimit të status quos që për këto dy dekada ka prodhuar vetëm monopole oligarkike nga ana e klaneve partiake të cilat në emër të konsolidimit sovranitetit (të paqenë), edhe familjarizohet diskursi i sundimit të ligjit (që u keqpërdorë serish nga të njëjtat klanet partiake), edhe fuqizohen institucionet ekzistuese, edhe… Pra,
Kosovës i duhet një konsensus për reforma institucionale, e jo konsensus për protagonizma politike partiake.

Temat
Opinione

Të afërta