Së shpejti udhëtojmë me taksi…fluturuese!

Nga viti 2023, “Uber” shpreson t’i sjellë botës taksitë që fluturojnë. Kompania prezantoi prototipet e reja, që përfaqësojnë të ardhmen e transportit, një lloj kombinimi mes helikopterit dhe dronit, të krijuar në bashkëpunim me NASA-n dhe ushtrinë amerikane.

Njëri prej tyre, “Uber Air” do të fluturojë me një ngritje nga 300 deri në 600 metra lartësi. Mjetet fillimisht do të pilotohen nga njerëz, por më vonë mendohet të fluturojnë në mënyrë të pavarur.

Planin e tij ambicioz, “Uber” e prezantoi fillimisht në vitin 2016, por kur erdhi fjala te vënia në jetë, aty u pa se vështirësitë nuk mungonin.

Ai nuk është i vetmi që ushqen ambicie të tilla. Janë të paktën 19 kompani që kanë flirtuar prej kohësh me idenë e makinave fluturuese, e po përpiqen t’i vënë tani projektet e tyre në zbatim.

Ato përfshijnë emra të mëdhenj si “Boeing”-u dhe “Airbus-i, por edhe “start up”-e të vogla si “Kitty Hawk”, pronë e themeluesit të “Google”-it, Larry Page.

“Uber” ka nënshkruar një marrëveshje me NASA-n për krijimin e një sistemi të ri kontrolli të trafikut ajror, i cili të menaxhojë situatën e këtyre mjeteve, me shumë gjasë autonome, të cilat do të fluturojnë relativisht ulët.

Eksperimentimi do të nisë që në vitin 2020, ndërsa 3 vite pas kësaj priten shërbimet e para të rregullta.

Temat
Fun

Të afërta