A ia ndërroi mendjen për demarkacionin? Daut Haradinaj flet për takimin me Nait Hasanin

Dy deputetë të dy partive të ndryshme, që janë në koalicion, kanë zhvilluar sot një takim mes vete. Janë Daut Haradinaj nga AAK-ja dhe Nait Hasani nga PDK-ja, të cilët ndonëse me qëndrime të kundërta për Demarkacionin me Malin e Zi, janë takuar sot, para seancës së marrëveshjes së kufirit Kosovë – Mal i Zi, e paraparë të fillojë në orën 16:00. Por, a e bindi Haradinaj Nait Hasanin që ta votojë Marrëveshjen? Daut Haradinaj tregon për Express

Një takim që ndonëse thuhet të jetë i rastësishëm dhe miqësor, aludon te biseda që të dy deputetët mund ta kenë zhvilluar për Demarkacionin me Malin e Zi. Daut Haradinaj ka pritur sot në zyrat e AAK-së, deputetin e PDK-së, Nait Hasanin. Kjo dëshmohet edhe me fotografinë e publikuar nga vetë Daut Haradinaj në rrjetin Social Facebook.

“Takim me mikun”, shkruan deputeti i AAK-së, Haradinaj. Gazeta Express ka kontaktuar këtë të fundit për të pyetur se çfarë biseduan mes vete, duke marrë parasysh qëndrimin kundër Demarkacionit, të deputetit të PDK-së, Nait Hasani.

Por Haradinaj për Express thotë se ka qenë vetëm takim miqësor.

Megjithëse, Partia Demokratike e Kosovës vazhdimisht shprehet se janë unike në qëndrimin e tyre për ta dhënë votën pro Marrëveshjes me kufirin me Malin e Zi. Këtë llogaritje e hedh poshtë deputeti i tyre.

Nait Hasani kishte shkruar edhe javë më parë në Facebook se Demarkacioni nuk kalon. Duke e bërë kështu me dije se ai nuk do ta japë votën e tij.

Më herët për Express ka folur edhe shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se para seancës së Demarkacionit do të mblidhen deputetët e kësaj partie për të diskutuar për temën që sot pritet të dalë në votim.

Deputeti Nait Hasani kishte vazhduar me avazin e vjetër, duke treguar se ai vepron në bazë të qëndrimeve të veta dhe jo të partisë.

Deputeti i PDK-së në një deklaratë për Express ditë më parë, ka lënë të nënkuptohet se ende s’ka vendosur se si do të votojë sot.

“Nuk kam qëndrim ende. Vota është individuale dhe nuk bëhet publike. Do të veproj në bazë të qëndrimeve të mia. Nuk dua edhe të deklarohem se a do ta votoj apo jo, kjo pasi vota do të jetë e fshehtë”, ka thënë deputeti Nait Hasani për Express.

Sidoqoftë, për ratifikim të Marrëveshjes nevojiten mbi 80 vota. Seanca është thirrur për sot nga ora 16:00. /D.K./GazetaExpress/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/a-ia-nderroi-mendjen-per-demarkacionin-daut-haradinaj-flet-per-takimin-me-nait-hasanin-513887/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Temat
Përgjithshme

Të afërta