Kërkoi ndihmë nga shteti por nuk arriti ta marrë, Valdeti 27 vjeçar nuk jeton më

Valdet Zeqiraj, 27 vjeçar, i cili vuante nga sëmundja e kancerit ka ndërruar jetë gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm. Ai kohë më parë kishte shkuar për në Turqi për të kërkuar shërim për sëmundjen nga e cila vuante tash e një kohë, kjo ngase sëmundja e tij nuk ishte e shërueshme në Kosovë. Familja e tij ditë më parë nëpërmjet një postimi publik ka kërkuar nga qytetarët që ta ndihmojnë 27 vjeçarin me mjete financiare për shërim.
Sipas familjarëve të Valdetit, Ministria e Shëndetësisë i kishte ndarë tij 23 mijë euro për kurimin e sëmundjes. Por këto nuk ishin të mjaftueshme. Kjo ngase atij i duheshin të paktën 130 mijë euro për ta vazhduar shërimin.

Lajmin për vdekjen e të riut e ka konfirmuar një i afërm i tij.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e hidhur se ; bashkë familjari i ynë Valdet Halil Zeqiraj ka ndërruar jetë . Ne familjarët e Valdetit i falënderohemi të gjithë ata shokë , miqë , dashamirë e bashkëpatriot Shqiptar për vullnetin e mirë dhe gatishmërinë e tyre te çeliktë, për ta ndihmuar e shpetuar Valdetin 27 vjeçar i cili po luftonte kundër sëmundjes së keqe”, thuhet në njoftimin e Afrim Zeqirit, familjar i Valdet Zeqirajt.

E shërim në Kosovë nuk po mund të gjejnë edhe qindra pacientë të tjerë si rasti i Valdetit tashmë të ndjerë. Ata po mësyjnë vendet evropiane për t’ia gjetur ilaçin vetes.
Mungesa e barnave, aparaturave për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme e mosbesimi në institucionet publike shëndetësore janë vetëm disa nga arsyet që qytetarët e Kosovës detyrohen të marrin rrugë drejt shteteve evropiane për t’ia gjetur ilaçin vetes.

Sipas të dhënave të Federatës Sindikale të Shëndetësisë, qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për trajtime mjekësore jashtë vendit. Për vitin 2017, në Ministrinë e Shëndetësisë rreth 2 mijë pacientë kanë kërkuar ndihmë financiare për trajtim mjekësor jashtë vendit.

Mbi 1 mijë e 500 kosovarë vetëm gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar me kancer, 334 raste më shumë se në vitin 2016. Më të shpeshtat janë rastet e kancerit të gjirit, mushkërive dhe atij gastrointestinal, shkruan Express.

Nga kjo shifër, rastet më të shpejta janë me kancerin e gjirit, nga i cili për gjithë vitin e kaluar janë regjistruar 329 raste, me kancer të mushkërive ka pasur 252 raste, gastrointestinal 379 raste, gjinekologjik 191 raste, ndërsa kanceri në kokë, qafë e në inde është paraqitur tek 231 kosovarë dhe ai urogjenital tek 200 të tjerë. Klinikën e Onkologjisë çdo ditë e frekuentojnë rreth 150 pacientë.

Ndërkohë Express, kishte raportuar se gjatë gjithë vitit të kaluar (2017), dhjetëra pacientë kosovarë, përfshirë edhe fëmijë kanë kërkuar shërim jashtë vendit nga këto sëmundje. Prej këtyre rasteve rreth 51 persona janë fëmijë që janë paraqitur me sëmundje malinje. 25 prej tyre vuajnë prej leukemisë. Ndërkohë që ndihmë financiare për shërim jashtë vendit nga sëmundja e leukemisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar 52 kosovarë gjatë gjithë vitit të kaluar./GazetaExpress/

Temat
LajmeVend

Të afërta