Detajet e krimit në Ferizaj, 29-vjeçari i vrarë ishte dorëzanë për një veturë

29-vjeçari, Besart Hasani, nga fshati Bibaj i Ferizajt, është vrarë mbrëmë pas një mosmarrëveshjeje me anëtarët e familjes Ramadani, nga e njëjta komunë. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e këtyre të fundit, në dalje të Ferizajt. Zënka që përfundoi me një të vrarë me plumb të revoles, po dyshohet se ka pasur për motiv një dorëzani që viktima u detyrohej të dyshuarve, për shkak të një borxhi për veturë, që një palë tjetër nga Prishtina u kishte mbetur atyre. Policia ka arrestuar deri më tani katër persona për këtë rast, tre prej tyre për rrahje, ndërsa i katërti si i dyshuar kryesor për vrasje
Një sherr verbal që nisi mes pronarëve të kafenesë “Aniki”, në rrugën “Reçaku” në Ferizaj, dhe Besart Hasanit, përfundoi me vrasjen e këtij të fundit përballë lokalit që ndodhet në nisje të magjistrales Ferizaj-Prishtinë.

29-vjeçari Hasani, si dorëzanë, kishte shkuar bashkë me një person tjetër nga Prishtina, D. Krasniqi, në kafenenë e dorasëve për t’u marrë vesh për kryerjen e një borxhi për një veturë që prishtinasi e kishte blerë nga anëtarët e familjes Ramadani.

Por, situata u tensionua brenda kafenesë, dhe Hasani u akuza se po mashtronte huadhënësit, në dëm të tyre. Shkuan aq larg, sa fjalosja eskaloi në dajak jashtë lokalit që ngjitur ka edhe auto-sallonin me të njëjtin emër, që është në pronësi të të njëjtit pronar. Për një moment, A. Ramadani po dyshohet se nxori revolen të cilën e kishte me vete dhe qëlloi për vdekje të riun nga fshati Bibaj i Ferizajt, shkruan Gazeta Express.

Personi tjetër, borxhliu nga Prishtina, D. Krasniqi, mbeti i lënduar lehtë nga rrahja që pësoi. Derisa, i dyshuari kryesor fillimisht u arratis nga vendi i ngjarjes, për t’u kapur të enjten në mesditë nga Policia.

“Pas një pune operative, sot rreth orës 11:50, hetuesit e Sektorit rajonal të Hetimeve kanë arrestuar personin A.R (m/sh/K 31 vjeç), i dyshuar për veprën penale të vrasjes së rëndë, ku kishte humbur jetën viktima B.H.”, ka njoftuar Policia e Ferizajt.

“Gjatë arrestimit, tek i dyshuari është gjetur dhe është konfiskuar një pistoletë M-57, kalibër 7,62mm, me një karikator dhe katër fishekë, me të cilën armë dyshohet se është kryer vepra”, thuhet tutje në njoftim.

I dyshuari kryesor, A. Ramadani
Ndërkohë, policia, të mërkurën mbrëma, pas vrasjes që ndodhi rreth orës 18:20, në vend të ngjarjes kishte arrestuar katër të dyshuar të tjerë: A. Ramadani, F. Ramadani, A. Ramadani dhe F. Ramadani, të gjithë familjarë të të dyshuarit kryesor për vrasje, A. Ramadani.

Tre prej të arrestuarve mbrëmë janë ndalur nga policia, për përfshirje në rrahjen e dy personave që rezultoi me vrasje të njërit prej tyre, derisa i katërti është liruar.

Me rastin është duke u marrë Prokuroria Themelore e Ferizajt, kryeprokurori i së cilës, Shukri Jashari konfirmoi për Gazetën Express se katër të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.

Gazeta Express, nga burime brenda autoriteteve të sigurisë në Ferizaj, merr vesh se viktima ka qenë i njohur për Policinë dhe Prokurorinë. Ai, siç mëson gazeta, kishte pasur disa raste të hapura në Polici për rrahje dhe incidente tjera të huliganizmit.

Trupi i Besart Hasanit mbrëmë është dërguar për obduksion në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë, derisa të enjten gjatë ditës i është kthyer për varrosje familjes. /M.Gj./GazetaExpress/.

Temat
LajmeVend

Të afërta