Golf 1-shi me dy motorë

Andreas Weibel nga Aarberg, në veriperëndim të Bernit, është bërë i njohur duke u marrë me modifikimin e veturave.

Zvicerani 61-vjeç kishte vetura që kur ishte në klasën e gjashtë të shkollës fillore. Ai ka shndërruar Volkswagen Bus T3 në raketë duke futur motorin e Porsches, si dhe ka krijuar një seri automjetesh të pazakonta.

Tani ai ka vendosur t’i bëjë një dhuratë gruas së tij, një veturë unike. Volkswagenin Golf I GTI të saj, seria e fundit e “1-shave” të vitit 1983, e ka shndërruar në një GTI më unik në botë, transmeton Koha.net. Në këtë Golf I GTI standard ai ka vendosur edhe një motor shtesë – në bagazh!

Në pjesën e jashtme të këtij Golfit të Weibelit nuk ka ndonjë ndryshim nga ai origjinal, por në brendësin e tij ai është detyruar të bëjë shumë modifikime.

Gjatë 1,200 orëve pune, zvicerani në këtë Golf I GTI ka instaluar një rezervar të veçantë për karburant, ka forcuar amortizatorët dhe frenat, ka ndryshuar boshtin e rrotave, ka modifikuar marshin, etj.

Tani, ky Golf I GTI ka dy motorë të cilët zhvillojnë nga 125 kuajfuqi, përcjell Koha.net. Performanca e këtij “1-shi” tani është e jashtëzakonshme. Ai peshon vetëm 1,085 kilogramë.

Ky Volkswagen Golf I GTI me dy motorë, shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 5,2 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 248 km/h.

Temat
Teknologji

Të afërta