Kirurgu pranon se ka shkruar “autograme” në mëlçitë e pacientëve

Kirurgu britanik Simon Bramhall ka pranuar se ka shkruar inicialet e tij në mëlçitë e pacientëve që ka operuar.

Bramhall, i cili u shfaq para gjykatësve në Gjykatën Penale të Birminghamit, tha se përmes lazerit kishte shkruar inicialet S dhe B në mëlçitë e dy pacientëve të operuar në periudhën shkurt-gusht të vitit 2013.

Pritet që gjykata të shpallë vendimin përfundimtar për 53-vjeçarin Bramhall muajin e ardhshëm.

Siç theksohet, djegiet e vendosura nga Bramhall janë të padëmshme dhe sipërfaqësore, por në kundërshtim me etikën mjekësore.

Spitali në të cilin mjeku ka kryer detyrën është i shqetësuar nga mundësia që Bramhall të ketë shkruar inicialet në organet e qindra pacientëve që ka operuar brenda dhjetë viteve.

Ndryshe, kirurgët e mëlçisë ndalin gjakderdhjet në organ duke përdorur lazer.

Bramhall ishte larguar nga puna në vitin 2013 pasi një tjetër kirurg kishte zbuluar rastin, ndërsa ishte hapur hetim në lidhje me akuzat ndaj tij.

Temat
Fun

Të afërta