Policia nuk dyshon për kryerje të veprës penale për zhdukjen e 15-vjeçarit

Policia e Kosovës, në rajonin e Gjakovës, ka bërë të ditur se nuk ka dyshime për kryerje të veprës penale për 15-vjeçarin, Pal Hiseni, i cili ishte zhdukur para disa dite.

Lirije Podrmija – Beqiraj, zëdhënëse në rajonin e Policisë së Gjakovës ka thënë për Insajderin se sipas veprimeve hetimore djaloshin 15-vjeçar e kanë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.

“Policia e Kosovës pas shumë veprimeve operativo hetimore ka arritur që të miturin ta gjejë dhe ta kthej në familjen e tij në gjendje të mirë shëndetësore. I njëjti është intervistuar në prezencën e punëtorit të qendrës për punë sociale dhe deri më tani nuk kemi asnjë bazë dyshimi që ka të bëjë me ndonjë vepër penale”, ka thënë Podrimja – Beqiraj.

Për më tepër, nxënësi 15-vjeçar Pal Hiseni, para dy ditësh është zhdukur në mesditë pasi kishte dalë nga një qebaptore në Gjakovë.

Policia ishte vënë në kërkim të tij. Fillimisht u tha se ishte parë diku në qytet duke e mbushur telefonin. Telefoni i tij ishte jashtë funksionit.

Pas më shumë se një dite, dje në orët e pasdites ishte paraqitur në telefon nga Mitrovica. Kishte folur shkurt dhe e kishte mbyllur telefonin.

Kaluar disa orë dhe policia, përmes rrugëve operative, arriti ta gjejë atë diku në Fushë Kosovë. E mori dhe e ktheu në shtëpi.

Temat
LajmeVend

Të afërta