Ish-drejtori i Facebook-ut: Ndihem shumë fajtor që isha pjesë e këtij rrjeti social

Ish-drejtori ekzekutiv i Facebook-ut ka folur për ndikimin e keq të këtij rrjeti social në shoqërinë e botës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Chamath Palihapitiya, i cili iu bashkua Facebook-ut në vitin 2007.

Siç thuhet më tej, ai ka thënë se ndihet në faj të madh për shkak se ka ndihmuar një kompani të tillë që të ketë rritje.

“Unë mendoj se krijuam mjetet të cilat ‘prishën’ mënyrën se si funksionon shoqëria”, ka thënë Palihapitiya, duke këshilluar njerëzit që të përmbahen nga rrjetet sociale.

Kritikat e tij nuk u drejtuan vetëm në drejtim të Facebook, por edhe në të gjithë ekosistemin online.

“Për shkak të ‘Like’-ve, por edhe mjeteve të tjera që i kemi krijuar nuk ka bashkëpunim, diskurs civil dhe ka më shumë dezinformata. Ky nuk është një problem amerikan, është një problem global”.

Si një shembull i ndikimit të keq në shoqëri ai ka përmendur një incident në Indi ku nga mesazhet e rreme për kidnapim, ndodhi deri tek linçimi i shtatë njerëzve të pafajshëm.

Ai thekson se ai përpiqet të përdorë Facebook-un sa më pak që të jetë e mundur, duke shtuar se për fëmijët e tij një gjë e tillë nuk është e lejuar.

Temat
Përgjithshme

Të afërta