Gjermania ofron nga 1000 euro për secilin azilkërkues që kthehet vullnetarisht

Deri më 28 shkurt azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në Gjermani mund të kërkojnë një ndihmë për t’u riintegruar në vendin e tyre të...

Deri më 28 shkurt azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në Gjermani mund të kërkojnë një ndihmë për t’u riintegruar në vendin e tyre të origjinës.

Familjet mund të marrin deri në 3000 euro, kurse individët deri në 1000 euro. Këto para mund të përdoren për të paguar qiranë, për të riparuar banesën, për pajisjen e tyre e kështu me radhë. Programi “Vendi yt e ardhmja jote” plotëson programin “Starthilfe plus”.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière u bën thirrje azilkërkuesve të refuzuar që ta shfrytëzojnë këtë ofertë.

“Nëse ju vendosni deri në fund të muajit shkurt që të ktheheni vullnetarisht në vendlindje, mund të përfitoni edhe këtë ndihmë shtesë për shpenzimet për strehim në vendin tuaj. Ne ju ndihmojmë me ndihma konkrete për riintegrimin”, tha ai.

Sipas gazetës “Bild am Sonntag” në periudhën shkurt-tetor 2017 ndihma për rikthim në vendlindje kanë kërkuar vetëm 8639 vetë, transmeton DW.

Po sipas kësaj gazete në Gjermani ka 115.000 azilkërkues të refuzuar. 80.000 syresh kanë statusin “Duldung”, 35.000 pritet të dëbohen, ndërkohë që nga janari deri në shtator 2017 janë dëbuar 19.520 vetë.

Prej këtyre ndihmave mund të përfitojnë edhe azikërkuesit nga Shqipëria apo Kosova që gjenden në Gjermani dhe dëshirojnë të kthehen në vendlindje.

Autoritetet gjermane i mbështesin prej vitesh me programe të ndryshme ata që duan të kthehen në vendlindje, pavarësisht nëse janë azilkërkues apo kanë leje qëndrimi në Gjermani.

Temat
BotëLajme

Të afërta