Bordi i kundërligjshëm i KEK-ut

Është zbardhur lista e anëtarëve të bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët ishin emëruar javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës. Faruk Hajrizi, Gjelosh Vataj, Mehdi Pllashniku,...

Është zbardhur lista e anëtarëve të bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët ishin emëruar javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Faruk Hajrizi, Gjelosh Vataj, Mehdi Pllashniku, Izet Ibrahimi, Fllanza Beqiri-Hoxha dhe Ilir Rama janë anëtarët e rinj të Bordit të KEK-ut. Emrat e anëtarëve të bordit të ri të KEK-ut janë dërguar nga Zyra për Media e Zyrës së Kryeministrit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se njëri nga të emëruarit kishte qenë pjesë e një partie politike vitin e kaluar. Në këtë bord ka edhe persona që nëpër rrjetet sociale bëjnë fushatë për parti te caktuara.

Izet Ibrahimi ka qenë kandidat për kryetar të Drenasit në vitin 2013, me Iniciativën për Drenasin. E njëjta kishte kaluar në partinë Nisma për Kosovën, e cila aktualisht është në qeveri si pjesë e koalicionit PAN.

Ibrahimi është dorëhequr nga Nisma për Kosovën, në prill të vitit 2016, për shkak të mospajtimeve për koalicionin ndërmjet Nismës dhe AAK-së.

“… duke e konsideruar koalicionin AAK/NISMA si shembje e shpresës së qytetarëve për një opozitë të bashkuar e cila do ta ndryshonte qeverisjen në vend dhe njëkohësisht duke e konsideruar se veprimet pa debat të gjerë me degët dhe nëndegët dhe nga vendimet e nga dy apo tre personave janë të ngutshme dhe i shërbejnë këtij pushteti, NE nuk dëshirojmë që të bëhemi pjesë e këtyre pazareve”, kishte shkruar Ibrahimi në letrën e dorëheqjes.

Tutje në këtë postim thuhet se Ibrahimi ka qenë kryetar i Nismës për Kosovën, dega në Drenas. Emërimi i Ibrahimit në bordin e KEK-ut është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjeve Publike.

Neni 15, pika 4 e Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon se kandidatët duhet të jenë ekspertë, ose së paku adekuatë për pozitën e kërkuar. Kurse neni 17 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, kandidatët duhet të nënshkruajnë një deklaratë nën betim.

Ndërsa, neni 17, paragrafi 5 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike kërkon që kandidatët për anëtarë të bordit të nënshkruajnë një deklaratë nën betim.

“Çdo person i cili mban ose aplikon për një pozitë të drejtorit duhet të japë një deklaratë nën betim në të cilën deklaron se ai/ajo i përmbush kushtet e kualifikimit, pavarësisë dhe ato të përshtatshmërisë profesionale sipas paragrafëve 1-3 të këtij neni. Çdo përgënjeshtrim material- qoftë i qëllimshëm ose nga neglizhenca- ose ndryshim material nga informatat e dhëna nën deklaratën e sipërcaktuar do të rezultojë në skualifikimin e menjëhershëm dhe nëse është e aplikueshme, largimin e personit”, thuhet në nenin 17, pikën 5 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Procesi i rekrutimit për Bordin e KEK-ut është finalizuar gjatë kohës së Qeverisë Mustafa. Qeverisë së Kosovës i janë prezantuar 12 persona që i kanë plotësuar kushtet prej nga ka qenë në diskrecion të qeverisë t’i zgjedhë vetëm 6 prej tyre. 12 emrat e propozuar janë: Fëllenza Beqiri-Hoxha, Arsim Fetahu, Izet Ibrahimi, Ruzhdi Zeqiri, Gjelosh Vataj, Agim Matoshi, Mehdi Pllashniku, Hasan Fejzullahu, Ejup Qerimi, Faruk Hajrizi, Ilir Rama dhe Rexhep Zeqiri. Ibrahimi ka qenë në mesin e të zgjedhurve nga qeveria Haradinaj, pjesë e së cilës është dhe Nisma për Kosovën.

Në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë, Ibrahimi mohon të ketë pasur ndikim nga ish-partia e tij.

“S’keni nevojë me e lidhë këto me parti e as me kurrgjë, fare s’ka lidhje kjo me punë me parti, unë gjithsesi që e përjashtoj këtë mundësi, kurrkush s’ka ndikuar”, tha shkurtimisht Ibrahimi për Gazetën JnK.

Një prej anëtarëve tjerë të zgjedhur si anëtar bordi është edhe Gjelosh Vataj, i cili kishte qenë kryeshef ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”. Donatorët kishin shprehur pakënaqësi me Bordin e Ujësjellësit i cili në takimin e parë e kishte emëruar Gjelosh Vatajn, për të cilin kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë. Në kohën e Vatajt kishte shumë akuza e kundërakuza për keqmenaxhim.

Vataj ishte shkarkuar nga kjo detyrë për shkak të shkeljeve ligjore që ishin gjetur nga një auditim i brendshëm në këtë ndërmarrje.

“Arsyetimi për shkarkimin e z. Vataj dhe z. Ratkoceri është i bazuar në të gjeturat e specifikuara në raportet e auditimit te brendshëm mbi shkeljet etike e ligjore në kontekst të legjislacionit të prokurimit publik të pasqyruara ne raportin e auditimit te brendshëm tek proceset e prokurimit dhe furnizimeve, deklarimin dhe raportimin e pasaktë financiar tek raporti i TM4 përkatësisht pasqyrave financiare”, kishte qenë arsyetimi për shkarkimin e tij nga kjo detyrë në mars të vitit 2016.

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një aktgjykimi ka kërkuar që Ish-kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, Gjelosh Vataj të kthehet në pozitën që kishte. Gjykata detyron KUR “Prishtinën” t’i paguajë paditësit në emër të kompensimit pagat mujore duke filluar nga data 8.3.2016 deri më 30.4.2017, e që kap shumën e 24.439.87 eurove.

Anëtar tjetër i bordit të ri të KEK-ut është edhe Faruk Hajrizi, i cili më herët ka qenë kryeshef ekzekutiv i KUR “Mitrovica”. Hajziri gjatë punës së tij në krye të KUR Mitrovica mbahet mend për tentimin për të punësuar mikun e familjet, që ishte penguar nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka arritur të gjejë fakte që Hajrizi kishte poste nëpër parti politike. Por, Hajrizi në profilin e tij në Facebook i shpërndan fotografitë ku Kadri Veseli cilësohet si “lider i pamposhtur”, si dhe i shpërndan spotet reklamuese të fushatës së kandidates së PDK-së në Mitrovicë, Valdete Idrizi.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Hajrizi nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetës me arsyetimin se ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nëse është zgjedhur.

“Nuk po mundem të jap deklarata, pasi që nuk e di a jam zgjedhur a jo”, tha Hajrizi.

Gazeta e ka pyetur edhe për afërsinë e tij me PDK-në bazuar në shpërndarjet që ai i ka bërë PDK-së në profilin e tij në “Facebook”.

“S’kam koment. Ato çka i keni pa (në Facebook), i kam të postume ama koment s’kam”, tha Hajrizi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Anëtari tjetër i bordit është edhe Mehdi Pllashniku i cili është edhe kryeshef i Agjencisë për Regjistrim të Biznesit, ARBK që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Anëtari tjetër i bordit është Ilir Rama. Rama ishte pjesë e Ministrisë së Energjisë dhe të Minierave, në kohën kur ministër ishte Et’hem Çeku nga AAK-ja. Tash, Rama punon në Ministrinë e Financave në Departamentin Qendror për Partneritet Publiko-Privat.

Dhe e vetmja anëtare grua në këtë bord është zgjedhur Fllanza Beqiri- Hoxha, e cila së fundi ka qenë menaxhere e Njësisë për Implementimin e Privatizimit të KEDS-it, ndërsa më herët ka qenë edhe për 3 vjet si drejtoreshë ekzekutive komerciale në KEK, për dy vjet drejtoreshë ekzekutive e Divizionit të Rrjetit të KEK-ut.

Temat
BotëLajme

Të afërta