Ministri Gashi: Shumë shpejt vendimi për stadiumin, Korrotica opsioni më i mirë

Stadiumi i Kosovës pritet të ndërtohet në Drenas e jo në Bërnicë të Poshtme, siç ishte planifikuar nga Qeveria e kaluar. Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, në një bisedë për Express ka thënë se vendimi përfundimtar se ku do të ndërtohet stadiumi olimpik do të bëhet publik së shpejti

Duket se më nuk është opsion, është pothuajse definitive. Stadiumi nacional i futbollit do të ndërtohet në fshatin Korroticë të Drenasit, përballë Parkut të Biznesit, e jo ku ishte planifikuar nga Qeveria e kaluar – në Bërnicë të Poshtme.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, që vjen nga radhët e PDK-së, ka thënë për Gazetën Express se ndërrimi i lokacionit mund të ndodhë për shkak se ka probleme pronësore në Bërnicë të Poshtme.

“Ne do të dalim shumë shpejt me konferencë për media për vendimin përfundimtar për stadiumin”, tha fillimisht Gashi për Express.

“Është folur se janë kryer procedurat, por jemi në pikën zero. E para ka konteste pronësore. Nuk janë shpronësuar pronat, dhe ka, po ashtu, prona të paidentifikuara”, shtoi ai për Express.

Sipas Gashit, për dallim nga lokacioni i caktuar vite më parë, ai në Drenas është gjithçka në rregull.

“Nuk kemi shumë kohë me humb dhe me u marr me prona dhe po mendojmë që opsioni më i mirë është në Drenas. Atje prona është gjithçka në rregull dhe kemi pasur tashmë kontakte edhe me Komunën dhe gjithçka është në rregull”, theksoi Gashi.

“Unë nuk e di pse kjo gjë është bërë kaq shumë kontestuese, sepse është një mundësi e mirë atje, nuk është shumë larg Prishtinës. Unë kam vullnet me shty këtë projekt, por po e përsëris se nuk duhet të humbasim kohë dhe se shumë shpejt do të vendosim”, theksoi mes tjerash ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Por, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i ka thënë Gazetës Express ditë më parë se toka e përcaktuar për ndërtimin stadiumit Nacional Olimpik të Kosovës, në Bërnicë të Poshtme, është pronë e Qeverisë së Kosovës.

Shala ka thënë se aty mund të fillojnë punimet, pasi gjithçka është gati, ndryshe nga ajo që thotë Gashi se ka “konteste pronësore”, arsye kryesore kjo pse mund edhe të ndërrohet lokacioni.

“Në mars të vitit 2014, Qeveria kishte vendosur të ndërtojë Stadiumin në Prishtinë, në bazë të këtij vendimi ne kemi hulumtuar dhe e kemi gjetur lokacionin. Vendi është lokalizuar në vitin 2016 në Bërnicë të Poshtme me ndihmën e Komunës së Prishtinës, ndërsa për këtë është pyetur edhe FFK-ja dhe ka dhënë dritën e gjelbër”, kishte thënë Shala.

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka treguar se kjo pronë e Qeverisë prej 38 hektarësh për ndërtimin e stadiumit është e gatshme për ndërtim.

“Kjo pronë dhe shumë të tjera, me një vendim të Qeverisë janë kthyer në prona të Qeverisë. Dhe ne kemi shpallur tender ndërkombëtar për studim të fizibilitetit. Sa kam qenë ministër nuk është përzgjedhur kompania, nga nëntë sa kishin konkurruar, ka qenë në procedurë. Por, toka është gjithçka në rregull. Pasi nuk mundesh me zhvillu procedurë tenderimi nëse nuk je ligjërisht në rregull. KRPP-ja ka dhënë leje për me i zhvillu procedurat e tenderimit ndërkombëtar për përzgjedhjen e kompanisë për studim të fizibiltetit të asaj zone”, kishte deklaruar Shala për Express.

Sido që të jetë, duket se më nuk është opsion. Është definitive. Stadiumi nacional i futbollit do të ndërtohet në fshatin Korroticë të Drenasit.

Madje, gjatë ditës së sotme kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ua ka prezantuar përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit zonën ekonomike përballë Parkut të Biznesit të shpronësuar nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari Lladrovci ka paraqitur edhe elaboratin kadastral të kësaj zone dhe e ka vlerësuar se i plotëson të gjitha kushtet e parapara me rregulloret ndërkombëtare për ndërtimin e një stadiumi me përmasa ndërkombëtare, pasi që është në qendër të Kosovës dhe ka autostradën shumë afër, aeroportin, kryeqytetin dhe zonat tjera ekonomike të vendit.

Në shikimin e kësaj zone ishin të pranishëm edhe inxhinieri për infrastrukturë sportive, Refki Osmani, dhe këshilltari i ministrit të Kulturës. /Gazeta Express/

Temat
SportVend

Të afërta