​“Kam qarë 20 minuta kur u ftova nga Kombëtarja”

Kamer Qaka është lojtari i fundit që i është bashkuar Kombëtares Shqiptare, pasi është ftuar nga Christian Panucci për miqësoren ndaj Turqisë

Lëndimi i Amir Abrashit i ka hapur rrugën Panuccit që të ftojë mesfushorin nga Kosova, që paraqitet te radhët e CSM Politehnica në Rumani, e që ka zhvilluar ndeshje për grupmoshat e Norvegjisë.

Lajmi për grumbullimin te Shqipëria, e ka gëzuar jashtëmase Qakën, që për mediet norvegjeze ka shpalosur emocionet.

“Është e pabesueshme, kam qarë për 20 minuta. U shokova. Idhujt e mi të fëmijërisë luajnë për Shqipërinë dhe nuk di çfarë të them. Ende nuk më besohet. Kam qenë në formë të mirë këtë vit dhe gjërat duken mjaft pozitive”, ka deklaruar mesfushori 22 vjeçar për ‘Nettavisen’.

“Dëgjova 3-4 javë më parë nga njerëz të rëndësishëm në Shqipëri se unë duhet të grumbullohesha në kombëtare dhe se isha mjaftueshëm i mirë për të merituar diçka të tillë”.

“Më pas papritur mora një mesazh nga klubi ku më thanë se FSHF-ja i kishte kontaktuar për të më grumbulluar. Më telefonuan nga Shqipëria për të më pyetur nëse isha i gatshëm të bashkohesha me kombëtaren”, vazhdoi ai.

“Nuk kam folur direkt me Panuccin, por kam folur me disa njerëz të tjerë. Më pyetën: ‘A do të vish në kombëtare?’ Dhe unë u përgjigja: ‘Nuk është nevoja të më pyesni.’ Isha shumë i lumtur”, shtoi 22-vjeçar.

Mesfushori foli edhe për zgjedhjen e tij përfundimtare sa i përket ekipit kombëtar, duke qenë se më parë ka luajtur për moshat e Norvegjisë.

“Unë dua të luaj për Shqipërinë, kjo është ëndrra ime. Stafi i Shqipërisë më ka parë të luaj, por unë dua të aktivizohem edhe për kombëtaren që të më shohin më shumë”, përfundoi Qaka. /Express/

Temat
RajonSport

Të afërta