​Kujtim Shala: Kjo është historia e Stadiumit Nacional në Bërnicë

Ish -Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i ka thënë Gazetës Express se toka e përcaktuar për ndërtimin stadiumit Nacional Olimpik të Kosovës, në Bërnicë të Poshtme,...

Ish -Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i ka thënë Gazetës Express se toka e përcaktuar për ndërtimin stadiumit Nacional Olimpik të Kosovës, në Bërnicë të Poshtme, është pronë e Qeverisë së Kosovës. Shala ka thënë se aty mund të fillojnë punimet, pasi gjithçka është gati. Ndryshimi i lokacionit, sipas tij, mund të bëhet vetëm me një vendim të ri të Qeverisë Haradinaj, por duke e pyetur edhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

Projekti për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës është ende vetëm në letër. Por, për vendin se ku do të duhej të ndërtohet ka nisur një luftë politike, shkruan Gazeta Express.

Debati i fundit për ndërtimin e stadiumit ka nisur pas një deklarate të dhënë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Por, gjithçka është ndezur pasi Kryeparlamentari Kadri Veseli nga Hungaria tha se Stadiumi Olimpik i Kosovës do të ndërtohet në Drenas.

Por, ish – ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga radhët e LDK’së, Kujtim Shala, ka folur për hapat që ishin ndërmarrë për lokacionin e ndërtimit të stadiumit në kohën kur ai ishte në krye të këtij institucioni.

Ai ka thënë se për lokacionin në Bërnicë ishin përcaktuar bashkë me FFK’në që drejtohet nga Fadil Vokrri.

Shala shpjegon se toka e përcaktuar për ndërtimin e stadiumit në Bërnicë të Poshtme tashmë është në pronësi të Qeverisë dhe se për projektin është hapur edhe tenderi për studimin e fizibilitetit.

“Në Mars të vitit 2014, Qeveria kishte vendos të ndërtojë Stadiumin në Prishtinë, në bazë të këtij vendimi ne kemi hulumtuar dhe e kemi gjetur lokacionin. Vendi është lokalizu në vitin 2016 në Bërnicë të Poshtme me ndihmën e Komunës së Prishtinës, ndërsa për këtë është pyetur edhe FFK-ja dhe ka dhënë dritën e gjelbër”, tha Shala.

Ish -Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka treguar se kjo pronë e Qeverisë prej 38 hektarësh për ndërtimin e stadiumit është e gatshme për ndërtim.

“Kjo pronë dhe shumë të tjera, me një vendim të Qeverisë janë kthyer në prona të Qeverisë. Dhe ne kemi shpall tender ndërkombëtar për studim të fizibilitetit. Sa kam qenë ministër nuk është përzgjedh kompania, nga nëntë sa kishin konkurruar, ka qenë në procedurë. Por, toka është gjithçka në rregull. Pasi nuk mundesh me zhvillu procedurë tenderimi nëse nuk je ligjërisht në rregull. KRPP-ja ka dhënë leje për me i zhvillu procedurat e tenderimit ndërkombëtar për përzgjedhjen e kompanisë për studim të fizibiltetit të asaj zone”, shtoi ai për Express.

Shala nuk ka treguar nëse mbështet ndryshimin e lokacionit por ka theksuar se për këtë duhet të pyetet gjithsesi edhe FFK-ja.

“Nuk ka vendim zyrtar. Është një ide e Kryetarit të Kuvendit. Për ta ndërruar lokacionin, duhet të konsultohet edhe FFK-ja. Sepse vendin e kemi zgjedh bashkë me ta. Gjithashtu që të ndërrohet lokacioni, duhet edhe vendim i Qeverisë. Sido që të jetë, nëse ka ndonjë variant më të mirë, është FFK-ja është ajo që duhet të pyetet”, theksoi mes tjerash Shala për Gazetën Express.

Ai po ashtu ka treguar se si Hungaria ka ofruar kredi për ndërtimin e stadiumit, por marrëveshja nuk është finalizuar, pasi kërkesa e tyre ishte e lartë. Diçka e tillë, thotë ai, nuk mund të bëhet pa studimin e fizibilitetit.

Çështja e stadiumit ka nxitur debate të vrullshme, pro et contra. Dikush ka argumentar që stadiumi duhet të jetë në Komunë të Prishtinë e disa të tjerë kanë mbështetur edhe idenë që projekti të transferohet në Drenas. Kryeministri Haradinaj nuk është prononcuar ende

Ideja është përqafuar edhe nga Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili madje ka dalë edhe në terren për ta konfirmuar lokacionin e ri.

E Veseli ndërkaq nga Hungaria ka thënë se stadiumi do të jetë shumë i bukur.

“Hungaria do ta ndihmojë Kosovën në ndërtimin e Stadiumit Olimpik në Drenas që do të jetë një ndër më të bukurit”, kishte thënë Veseli, gjatë pjesëmarrjes në konferencën e tetë të kryetarëve të Kuvendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Budapest.

Por, këto i kishte hedhur poshtë, Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit, Ramush Haradinaj.

“Stadiumi Olimpik ndërtohet aty ku ishte planifikuar. Pra në Bërnicë të Poshtme. Është gënjeshtër e kulluar ideja e zhvendosjes së tij në Drenas”, është shprehur Arifi, duke iu referuar deklaratave të fundit të dy zyrtarëve të PDK-së, Veselit dhe Lladrovcit.

Ndërsa për Gazetën Express zyrtar të FFK-së kanë treguar se nuk janë në dijeni fare për debatin e fundit. /Express/

Temat
SportVend

Të afërta