Policia përfundon operacionin e sotëm antidrogë afër shkollave, arrestohet një i mitur

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një operacion antidrogë në Prishtinë, ku kanë kontrolluar disa lokacione afër shkollës së mesme ‘Sami Frashëri’ dhe shkollës fillorë ‘Elena Gjika’.

Në afërsi të lokaleve të kësaj të fundit pjesëtarë civilë të policisë kanë kontrolluar të rinjtë për substanca të dyshimta.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha e ka konfirmuar këtë operacion për lajmi.net duke shtuar se kontrolle ka pas edhe në qytetin e Gjakovës.

“Ju konfirmojmë që edhe sot në rajone të ndryshme të vendit (si në Prishtinë dhe Gjakovë) janë realizuar operacione policore në funksion të parandalimit dhe luftimit të dukurisë së përdorimit, abuzimit me substanca narkotike dhe Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar edhe më tutje në vazhdimin e luftimit të kësaj dukurie për të krijuar një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, në veçanti rininë dhe nxënësit”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se në Gjakovë, njësitet e policisë kanë arrestuar një person të mitur pasi i është gjetur sasi e substancës narkotike dhe rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërsa sa i përket rajonit të Prishtinës, Hoxha nuk ka dhënë informacion për ndonjë të arrestuar.

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në funksion të realizimit të objektivave dhe aktiviteteve të parapara me Strategjinë Kombëtare kundër drogave dhe legjislacionit në fuqi në vazhdimësi gjatë këtij viti dhe viteve që po lëm pas ka realizuar operacione të suksesshme policore në parandalimin dhe luftimin trafikimit me narkotikë.

Gjatë operacioneve policore janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuara narkotike, janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar si dhe shpartalluar grupe kriminale. Policia në bashkëpunim edhe me autoritetet tjera relevante në vazhdimësi po punon për parandalimin e rasteve te abuzimit me substanca narkotike, dhe në aspektin ligjor ne do te ndërmarrim masa të ashpra ligjore ndaj të gjithë atyre që janë të involvuar në trafikim apo abuzim me substanca narkotike dhe vepra tjera të kundërligjshme që rrezikojnë shëndetin e të rinjve tanë apo të nxënësve në veçanti./Lajmi.net/

Temat
LajmeVend

Të afërta