Rusia e akuzon SHBA-në se e ka fshirë Raqqan nga faqja e dheut

Rusia e ka akuzuar sot koalicionin ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara se e ka fshirë qytetin sirian, Raqqan, nga faqja e dheut me bombardime intensive në të njëjtën mënyrë siç Shtetet e Bashkuara dhe Britania e kishin bombarduar Dresdenin e Gjermanisë në vitin 1945.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, e cila edhe vetë është detyruar t’i mohojë vazhdimisht akuzat e aktivistëve dhe politikanëve perëndimorë për bombardimin e civilëve sirianë, ka thënë se siç duket Perëndimi është duke u ngutur t’i ofrojë ndihmë financiare Raqqas për t’i mbuluar krimet e veta, transmeton Express.

Milicitë e mbështetura nga SHBA-ja në Siri e shpallen fitoren ndaj Shtetit Islamik (ISIS) në Raqqa, kryeqytetin e grupit terrorist, javën e kaluar, duke i ngritur flamujt mbi terrenet xhihadiste pas një beteje katërmujore.

“Raqqa e ka trashëguar fatin e Dresdenit në vitin 1945, e fshirë nga faqja e dheut nga bombardimet anglo-amerikane”, ka thënë ministria ruse në një komunikatë.

Temat
BotëLajme

Të afërta