Kush është oficerja që mund të “fundosë” Saimir Tahirin, lidhja me Habilajt?!

Një oficere policie është kthyer “Thembra e Akilit” për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka përdorur dëshminë e kësaj punonjëse policie, për të kërkuar heqjen e imunitetit...

Një oficere policie është kthyer “Thembra e Akilit” për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka përdorur dëshminë e kësaj punonjëse policie, për të kërkuar heqjen e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe arrestimin e tij për akuzën e “Trafikut të drogës” dhe “Korrupsionit pasiv”.

Gjatë hetimeve të kryera, prokuroria e Krimeve të Rënda ka mësuar në përgjimet e bisedave të anëtarëve të grupit, se kjo oficere ka qënë mike e kreut të grupit kriminal, Moisi Habilaj, i arrestuar pak ditë më parë nga prokuroria e Katanias.

Nisur nga këto të dhëna, prokuroria ka shoqëruar pak ditë më parë këtë punonjëse police, duke i administruar dëshminë e saj në dosje. Oficerja, ka treguar se mes saj dhe Moisi Habilaj ka pasur një miqësi, dhe se gjatë kohës që kanë qëndruar bashkë, Habilaj i ka thënë se është kushëri i Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm.

Sipas saj, kjo bisedë është bërë në një Bar-Kafe në qytetin e Vlorës, ku Moisiu i ka pohuar se kishte siguri në këtë punë, pasi ishte kushëri i Tahirit. Në rrëfimin që ka dhënë para prokurorëve oficerja ka kërkuar garantimin e mbrojtjes fizike dhe jetës së familjarëve të saj, ndërkohë që ka shtuar se në diskutimet që ka bërë me Habilaj, ky i fundit i kishte premtuar se do ndërhynte lart për ta ngritur në gradë dhe për ta emëruar në një pozicion më të mirë punë në polici.

Në një farë mënyre kjo oficere ishte kthyer dhe si informatore e Habiljat dhe zbulimi i saj, ka bërë që ajo të bashkëpunojë me prokurorinë. Pasi ajo ka shumë gjasa që të jetë në listën e oficerëve të policisë në Vlorë, që mund të arrestohen në periudhën në vijim. Duket se për ti shpëtuar prangave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, oficerja ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar atë që dinte rreth lëvizjeve të grupit që drejtohej me Habilaj, policët e implikuar me këtë grup dhe bisedat e ndryshme që ka bërë Habilaj me këtë punonjëse policie gjatë kohës kur kanë qëndruar së bashku.

Burime pranë “Shqiptarja.com” thanë se kjo oficere kishte udhëtuar disa herë në Greqi me Moisi Habilaj, por sipas saj këto udhëtime kanë qënë për disa probleme personale dhe dijeninë e saj, nuk bëhej fjalë për trafik droge. Dëshmia e kësaj oficereje tashmë është administruar në dosjen e prokurorisë, ndërkohë që kjo shtetase është marrë në mbrojtje nga prokuroria. Vetë prokurorët e Krimeve të Rënda deklaruar në Këshillin e Kuvendit se disponojnë dëshminë e një efektiveje, e cila është mikeshë e ngushtë e Moisi Habilajt. Efektivja ka dëshmuar përpara prokurorëve të krimeve të rënda se Moisiu i ka pohuar se ka kushëri Tahirin. Prokurorët thanë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit se kjo është një tjetër provë që lidh Tahirin me Habilajt.

Dalja në skenë e kësaj dëshmie është kthyer “Thembra e Akilit” për çështjen e arrestimit ose jo të ish-ministrit të Brendshëm. Prokurorët kanë këmbëngulur se dëshmia e efektives është në unison dhe gjen mbështetje nga provat e tjera indirekte kundër ish-ministrit Saimir Tahiri. Burimet nga mbledhja e Këshillit të Mandateve i pohuan Report Tv se edhe kjo provë e re e paraqitur nga prokurorët e Krimeve të Rënda nuk ka qenë bindëse për anëtarët socialistë të këtij këshilli, pasi nuk përbën asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe Moisi Habilajt.

Temat
LajmeRajon

Të afërta